Policia e Shtetit zhvilloi një aktivitet festiv, me rastin e festave të fundvitit, me fëmijët dhe familjarët e punonjësve të Policisë të rënë në krye e për shkak të detyrës.
Në aktivitet ishin të pranishëm Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, drejtues të lartë të PSH e përfaqësues nga donatorët.
Ministri Sandër Lleshaj vlerësoi veprën e dëshmorëve të Policisë, duke theksuar se Policia e Shtetit është e vetmja organizatë që është goditur më rëndë në kryerjen e detyrës. Ai premtoi mbështetje dhe vemendje, edhe në emër të Qeverisë për ta.
Ministri i Punëve të Brendshme, Sandër Lleshaj u shpreh se, “prania juaj është edhe tregues i faktit që Policia e Shtetit është ajo organizatë që i ka dhënë Shqipërisë më shumë se kushdo tjetër në këto vite të tranzicionit. Në këto vitet e tranzicionit, kontributi i Policisë ka qenë i jashtëzakonshëm dhe ju jeni dëshmia e gjallë e këtij kontributi dhe e kësaj sakrifice të paçmuar që është dhënë për Shqipërinë, për sigurinë, për qetësinë e gjithsecilit qytetar të këtij vendi”, tha Lleshaj.
“Unë dua t’ju shpreh falenderimet më të thella, të gjithë familjeve të policëve, të punonjësve të Policisë të rënë në krye të detyrës, të shpreh përuljen e thellë të gjithë strukturave të Policisë së Shtetit, Ministrisë së Brendshme, të Shtetit shqiptar ndaj sakrificës së më të dashurve tuaj, dhe njëkohësisht të shpreh angazhimin tim personal, të Ministrisë së Brendshme, të Qeverisë shqiptare, dhe strukturave të tjera, për të vijuar edhe më tej përkujdesjen serioze ndaj të gjithë familjarëve të policëve të rënë në krye të detyrës”, vijoi kreu i MB.
“Unë e di që është bërë shumë, por e di që është shumë e shumë më tepër për t’u bërë. Dhe jam i bindur që edhe mundësitë për të bërë më shumë ekzistojnë. Me këtë rast shpreh angazhimin tim personal dhe të strukturës që drejtoj për t’u marrë seriozisht me të gjitha problemet që kanë të bëjnë me familjet tuaja, së pari, me fëmijët, të cilët duhet të gjejnë tek Policia e Shtetit, tek Shteti shqiptar në tërësi, familjen e tyre të madhe, të gjejnë përkujdesjen e vërtetë. Ne duhet ta marrim përsipër të kryejmë rolin e prindit që u mungon këtyre fëmijëve në kuptimin e përkujdesjes. Unë besoj fort që ne do të gjejmë rrugë dhe mekanizma për të bërë shumë më tepër”, theksoi Lleshaj.
Drejtori Veliu u shpreh se fëmijët dhe familjarët e dëshmorëve të Polciisë janë pjesë e pandarë e familjes së madhe të Policisë së Shtetit dhe dera e Policisë do jetë përherë e hapur për ta.
“Të jesh sot mes jush, për të festuar së bashku Krishtlindjet dhe Vitin e Ri, është privilegj, kënaqësi dhe përgjegjësi. Sot ju jeni mes familjes tuaj të madhe, Policisë së Shtetit, mes kësaj familjeje për të cilën njerëzit tuaj më të dashur, dhanë gjënë më të shtrenjtë, jetën dhe për këtë ju duhet të ndiheni krenarë. Ky është shpirti i vërtetë i festave. Ndaj dhe jemi këtu të gjithë së bashku, për të festuar si një familje e madhe, pasi ju jeni pjesë e rëndësishme e familjes tonë, pjesë e pandarë e familjes së madhe të Policisë së Shtetit”, tha Veliu.
“Festat janë pastrimi i shpirtit, ripërtëritje e vlerave dhe traditës, por edhe bilanc dhe nxjerrje përgjegjësish se çfarë kemi bërë mirë e ç’duhet të bëjmë akoma më mirë, për ju në radhë të parë dhe të gjithë shoqërinë. Jam shumë i lumtur t’ju shoh më të rritur, më të maturuar. Jam i sigurt që keni punuar fort për të qenë nxënës të mirë dhe për të arritur rezultate të larta në shkollë. Jam i sigurt se i keni bërë krenarë të gjithë: nënat, gjyshërit, motrat dhe vëllezërit tuaj. Nga viti në vit shumë prej jush janë bërë pjesë e Policisë duke shërbyer me ndershmëri e përkushtim. Dera e Policisë së Shtetit do jetë përherë e hapur për ju”, shtoi Kryepolici.
Në përfundim të aktivitetit festiv, fëmijëve iu shpërndanë dhurata si dhe vlera monetare të grumbulluara nga donacionet e kompanive private e bankave te nivelit të dytë, por edhe nga vetë punonjësit e Policisë së Shtetit. ATSH-A.Fortuzi








