Në fondin e dokumenteve të krijuara prej Arqipeshkvisë së Shkodrës, bie në sy një tekst ku radhiten 21 mallkime për përditshmërinë e njerëzve.
Ai mban titullin dygjuhësh “I scomunnicati nel Giovedi Santo” përkthyer në shqip si: “Mallëkimet qi lëshon ipeshkëpi t’Eiten e Madhe”. Dokumenti u publikua sot nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ku numërohen 21 mallkime që Kisha Katolike i adresonte ndaj atyre që binin në mëkat.

Postimi i Drejtorise se Pergjithshme te Arkivave
Sikundër gjuhët e tjera të botës, edhe gjuha shqipe zotëron një potencial të larmishëm mallkimesh. Mallkimet mund të tingëllojnë të frikshme dhe gjëmëndjellëse, por mund të bartin edhe humor, kur i lexojmë a i dëgjojmë pa u përfshirë emocionalisht në gjendjen që evokojnë.
Situata ndryshon krejt kur mallkimet i artikulojnë institucionet fetare, si, për shembull, Kisha Katolike. Në fondin e dokumenteve të krijuara prej Arqipeshkvisë së Shkodrës, në njësinë e ruajtjes me numër 1 të vitit 1744 ruhet një regjistër që përmban materiale të ndryshme: shënime historike, një përshkrim të shkurtër të gjendjes së Shkodrës dhe famullive të saj, dekrete ipeshkvnore, vendime, qarkore, etj. Mes tyre, në fl. 7r-8v gjendet teksti i kopjuar i 21 mallkimeve shkruar në italisht dhe shqip, nën titullin dygjuhësh “I scomunnicati nel Giovedi Santo” përkthyer në shqip si: “Mallëkimet qi lëshon ipeshkëpi t’Eiten e Madhe”. Mes këtyre mallkimeve lexojmë (në transkriptim të përshtatur me shqipen e sotshme): “1.

Kiofshin mallëkuem ata qi diegën shtëpin, e qietër ngja të huejn, edhe ata qi të dhein për inat shtëpin e huej” (italisht: “Gli Incendiarii),
- “Kioft mallëkuem ai qi të mbaan dyy graa” (“Quello, che nello stesso tempo tiene due done”), apo
- Kioft mallëkuem ai qi të marrën për grue të kunatën o t’emptën, o qietër grue qi e ieep ligja jon” (“Chi pigliasse, o tenesse la cognata, zia, etc.”).

Në këtë rast këto mallkime nuk kanë qëllim të mirëfilltë evokimin e një të keqeje mbi njerëzit, por shërbejnë si paralajmërime për veprat që i ndalojnë besimtarët nga pjesëmarrja në sakramentin e kungimit.
Ndërkohë, interes të përveçëm përbën dhe përkthimi (apo perifrazimi) i tekstit origjinal në gjuhën shqipe. (AQSH i RSH, Fondi: 132/A, Viti 1744, Dosja 1, fl. 7r – 8v.)

