TIRANE- Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu së bashku me Ministren e Drejtësisë Etilda Gjonaj kanë vizituar këtë fundjavë institucionin e vuajtjes së dënimit, ku është ofruar shërbimin e mamografisë falas për gratë e dënuara.
Ministrja Manastirliu tha se, pas ofrimit të kontrollit mjekësor bazë falas tani po ofrojmë edhe mamografinë falas për gratë që vuajnë dënimin, pasi e drejta për shëndet është për të gjithë njëlloj.
“Jemi këtu për të siguruar që çdo grua kudo ku ajo ndodhet të kryejë mamografinë falas si e vetmja mënyrë për të diagnostikuar në kohë kancerin e gjirit. Ashtu siç kryen kontrollin mjekësor bazë, edhe shërbimi i mamografisë do të ofrohet në të gjithë institucionet e vuajtjes së dënimit”, deklaroi Manastirliu.
Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj duke falenderuar Ministren Manastirliu për mbështetjen, tha se ky është një program që do të vijojë në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë.“Ministria e Drejtësisë i është bashkuar fushatës që Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka nisur për të kryer mamografinë falas në të gjithë vendin kudo ku ndodhen të dënuara ose jo. Janë 30 gra të dënuara dhe të paraburgosura që do t’i nënshtrohen kontrollit të gjirit”, tha Gjonaj.Në kuadër të muajit të ndërgjegjësimit të luftës kundër kancerit të gjirit, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për gjatë muajit Tetor ka ndërmarrë një fushatë sensibilizimi për t’u dhënë mundësinë të gjitha grave të kryejnë kontrollin falas për kancerin e gjirit.Në të gjithë njësitë ku ofrohet shërbimi i mamografisë gjatë muajit Tetor gratë mund ta kryejnë mamografinë edhe në oraret e pasdites, deri në orën 18:00, dhe të shtunën deri në orën 14:00.Përveç 12 mamografëve në spitale, shërbimi ofrohet falas përmes mamografëve të lëvizshëm edhe në zonat e thella.