/ATSH/ Aktorja e njohur e skenës shqiptare, Marjana Kondi u shpreh në mbështetje të çdo iniciative që kërkon t’i japë kombit, qytetit, publikut, aktorëve, regjisorëve, teatrin që kanë dashur, por pa gjymtuar shtratin e sotëm të teatrit. Lidhur me debatin për Teatrin Kombëtar, Kondi shprehet se “përtej së kuqes, llozhave, poltronave dhe perdes kadife, lëngonte një teatër i amortizuar e i braktisur nga instancat shtetërore”.
“E kuqja e sallës ishte skuqja nga turpi i këtij shpirti që vuante. Të tillë për fatin e keq e gjej dhe sot. Kjo gjendje shton nevojën për të kërkuar një teatër të ri, të mirëmbajtur, me të gjithë elementët teknik si hapësira skenike, akustika, numri i sallave, elementët audio dhe ndriçim, kapacitet të lartë të vendeve për publikun, ambiente bashkëkohore pune për aktorët”, tha ajo.
Kondi u shpreh se “këtë s’e kërkoj për vete, por për gjeneratat që do vijnë”. “Kërkesa për një teatër të tillë (pa cënuar asnjë centimetër nga territori ekzistues). Ndaj mbështes çdo iniciativë që kërkon t’i japë kombit, qytetit, publikut, aktorëve, regjisorëve, një teatër që kemi dashur, por pa gjymtuar shtratin e sotëm të teatrit”, tha ajo.
Duke ndarë këtë qëndrim, Kryeministri Edi Rama vlerësoi se “Marjana Kondi, e cila i ka dhënë publikut shumë personazhe të spikatur në skenë e në ekran, është një nga aktoret që ka mbledhur më shumë duartrokitje në sallën e Teatrit Kombëtar”. “Ajo ka një qëndrim të qartë në debatin për godinën e teatrit, njësoj si shumica dërrmuese e komunitetit teatror”, tha Rama./m.m/j.p/
