Profesor Mark Marku shprehet kundër vendimit të MAS për kthimin e studentëve në auditore në qershor. Për Rtv Ora, ai thotë se vendimi i MAS shkon në kundërshtim me urdhëresat aktuale të qeverisë.
Pedagogu i Departamentit të Gazetarisë argumenton se ka një absurd në gjithë këtë situatë, pasi kafet urdhërohen të hapen pas 18 majit vetëm në ambjentet e jashtme dhe në distancë, ndërsa studentë mbyllen brenda në qershor.
Marku: Ka një kaos, ëktë e ka shkaktuar urdhri i MAS. Ndërkohë që ne po vazhdonim dhe po mendonim për organizimin e formave të testimeve online në këtë moment nga Ministria doli urdhri që studentë e pedagogë nga 1 qershori do të kthehen në auditore. Ky vendim është i gabuar. Ne nuk e dimë çfarë parashikimi ka Ministria për 1 qershor, kur në vendimet e qeverisë thuhet se nga 18 maji do hapen lokalet por jashtë, do vazhdojë ndalimi i komunikimeve më tepër se 5 persona në ambiente të mbyllura.
Në auditore do të kthehen vetëm studentët që diplomohen, por Marku thotë se Universitetet nuk kanë infrastrukturë për të garantuar sigurinë e tyre shëndetësore.
Marku: E kemi të pamundur të bëjmë mësim me vetëm 5 persona. Distancimi social nuk është i mundur. Vetëm Fakulteti jonë ka 4 mijë studentë dhe 1300 studentë të viteve të fundit në bachelor dhe master dhe kemi vetëm 20 salla.Me kaq salla me 5-6 studentë ne arrijmë të administrojmë çdo orë të ditës 100 studentë, kemi 1300. Është e pamundur dhe nuk mund të bëhemi garant të masave. Duam por nuk mundohemi. Nuk kemi ambjente ashtu siç nuk kanë të gjitha Universitetet në Shqipëri.
Ai thotë se mësimi online ka funksionuar më së mirë për mbi 90% të studentëve, pjesëmarrje kjo e njëjtë me atë në auditore.
Marku: Mbi 90% e studentëve kanë marrë pjesë në mësimin online, pjesa tjetër ka pasur vështirësi për shkak të mungesës së aksesit në internet apo arsye të tjera. Nuk është njëlloj si të jesh në auditore por është një formë alternative e mësimit dhe për kushtet ku kemi qenë është zgjidhja që ka sfiduar vështirësitë. Te ne përqindja e nxënësve të paangazhuar është 5%, e njëjta që kemi në auditore. Diku 10% nuk marrin pjesë në mësim. Flas për Departamentin e Gazetarisë dhe Fakultetin e Histori-Filologjisë. Studentët dhe ne do të donim të ishim fizikisht në mësim, por kjo nuk do të thotë që kjo përvojë në të ardhmen të mos shfrytëzohet në mënyrë pozitive për forma alternative të mësimdhënies.
Pedagogu thotë se problemi i qeverisë dhe Minisitrisë është se të kërkojnë mendim dhe në fund nuk të pyesin fare.
Marku: Ne sugjeruam që mësimi të vazhdojë online nëse nuk ndryshon situata. Me një mundësi të fundit që provimet të jenë në qershor në mënyrë fizike. Nga ana tjetër edhe në shtator nuk jemi të sigurt që të situata nuk mund të ndryshojë, mund të rikthehet pandemia. Kemi thënë që duhet të përgatitemi për alternativa të provimeve online. Në asnjë vend europian nuk janë hapur Universitetet dhe nuk mendohet të hapen dhe dy-tre muajt e ardhshëm. Varësish lëndëve dhe specifikave të fakulteteve dhe universiteteve disa provime të shtyhen dhe të jepen në shtator.Ministria si ka marrë parasysh këto dhe ka marrë një vendim arbitrar. Ne do ti kërkojmë Ministrisë dhe Kryeministrit që të garantojnë kushtet.Ne duhet të mendojmë vetë për studentët e papërfshirë në mësim online, dhe jo tu rrezikojmë jetën të tjerëve.
Ndërsa profesor Marku instiston te provimet online tregon edhe formulën për të shmangur kopjen.
Marku: Kopjet nuk shmangen as në provimet ballë për ballë. Një formë e shmangies së kopjes është që të mos ndërtosh sistemin e dijes mbi modelin e përsëritjes. Të kërkosh në mënyrë logjike që mbi dijet që i ke dhënë, duke pasur informacionet në tavolinë të mos ketë mundësi të kopjojë. Duhet të shkosh te testet që nuk testojnë memorien e studentëve por aftësinë e tyre për të ndërtuar zgjidhje përmes informacionit që kanë. Duhet të jetë sistem logjik krijues.
Po vetë studentët sa janë gati për testet online?
Marku: Duhet ti përgatisim. Nuk po na lihet koha, njëherë na thuhet kaloni në mësim online, pastaj në qershor do të ktheheni në auditore. Ne deri në qershor e kemi mbaruar programin online. Do të duhet që të shtyhet edhe dy javë në qershor mësimi. Kjo që bën qeveria ëahtë shumë e rrezikshme.Pse ka dy parashikime qeveria, tregon mungesë serioziteti. Të mbledhësh studentë nga e gjithë Shqipëria në Tiranë, zonë e kuqe nga Covid-19, ti futësh në auditore dhe pastaj ti shpërndash në gjithë Shqipërinë, do të thotë që i hedh në erë të gjithë sakrificat që kanë bërë shqiptarët.