Ministria e Brendshme shqiptare ka reaguar pas masakrës me 6 të vdekur në Greqi, ku informoi se sipas autoriteve greke viktimat janë shtetas turk me karta identiteti të një vendi të BE.
“Zyra e Ministrit të Brendshëm ka ndjekur prej momentit të parë ngjarjen në Greqi dhe nga informacioni paraprak nga autoritetet greke jemi informuar se viktimat kanë shtetësi turke me karta identiteti të një vendi të BE”, njoftimi i Ministrisë.
Fillimisht mediat greke raportuan se viktimat ishin shqiptarë, por sipas autoriteteve të shtetit fqinj ata ishin turq.
Sipas Protothema viktima kishte ID franceze dhe se targat gjermane të makinës ku u gjetën të vdekurit ishin false.
Sipas informacioneve, skenari më i mundshëm është ajo e larjes së hesapeve për çështje droge.
Autorët dhe viktimat njiheshin me njëri-tjetrin dhe duket se në fakt, të parët që kanë ngritur pritë kanë qenë personat që ndodheshin në makinën me targa gjermane.
Kjo përforcohet edhe nga pozicioni në të cilin janë gjetur viktimat. Sipas informacioneve, në vendngjarje janë gjetur 25 gëzhoja, ndërsa policia është vënë në kërkim të një veture të zezë dhe një motoçikletë.
5 nga viktimat u gjetën brenda automjetit, ndërsa 1 prej tyre shtrihej i pajetë në tokë jashtë makinës.
