Deputetja e Partisë Socialiste, Ilva Gjuzi, ka tërhequr vëmendjen e publikut pasi mori pjesë në Komisionin për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm duke mbajtur foshnjën e saj në kraharor.
E ftuar në studion e “Ora News”, Gjuzi foli për jetën mes politikës dhe familjes, duke theksuar se për të, familja mbetet qendra e ekuilibrit dhe burimi i forcës për të dhënë kontribut në jetën publike.
” E gjithë jeta, pavarësisht se je e angazhuar në politikë e në jetë publike, është një lloj balance midis punës, profesionit, karrierës dhe jetës familjare.
Ajo që për Ilvën është veçanërisht e rëndësishme është që familja është bërthama prej nga ku vijnë rrotull të gjithë angazhimet e tjera.
Thënë kjo, për arsyen se, të jesh një politikan i mirë në radhë të parë duhet të jesh mirë me vete, të kuptosh normat sociale, të kuptosh nevojat sociale dhe kjo është arsyeja se pse për mua angazhimi politik vjen si një lloj kontributi.
Unë kam zgjedhur që të jetoj në Shqipëri dhe ti rris fëmijët këtu në Shqipëri. Kështu që, nëse kam mundësi që të jap një kontribut në përmirësimin e jetës qytetare në vendin tonë patjetër që po.
Për ta balancuar, nuk besoj se ekziston një balancë në vetvete. Mendoj se ka një ndërsjellje midis angazhimeve dhe në një moment të caktuar je më shumë diku sesa diku tjetër, por për mua kryefjalja e mbështetjes sime është familja, është im shoq dhe unë kam shansin që kam dhe vjehrrën time që e kam shumë afër gjatë gjithë kohës. Bëjmë një ekip shumë të mirë për të balancuar jetën e familjes dhe për të më dhënë mundësinë që të jap atë kontributin tim në jetën publike”, u shpreh Gjuzi.
