Një fëmijë tashmë e ka humbur, kurse tre vajzat minorene i sheh përditë në pamundësi për t’i dhënë ushqim. Kurrë nuk i ka ngopur me bukë dhe shpirti i dhemb pikërisht prej këtij fakti.
Kujton të birin vetëm me forcën e mendjes. Nuk kishte para t’i bënte as edhe një foto. I vetmi kujtim që i ka mbetur është një shenjë në dorë, në momentin kur djali e ka mbërthyer, teksa jepte shpirt.
Lavdija ka mbi supe jo vetëm tre frymë, por edhe mbi kurriz hijen e një sëmundje të rëndë. Nëse sëmundja do t’ja marrë jetën, kjo është një çështje që nuk e shqetëson 37 vjeçaren, e cila tashmë ka humbur dhe flokët për shkak të seancave mjekësore.
Emisioni shqiptarët për shqiptarët e përcolli rastin e nënës shqiptare, e cila kishte vetëm një lutje për shqiptarët, të mund ta ndihmonin për të patur një banesë për tre vajzat e saj.
Shqiptarët për shqiptarët menduan t’i bëjnë një festë njërës prej vajzave të Lavdijes, e cila sapo kishte mbushur 3 vjeç. Vogëlushja nuk kishte festuar ndonjëherë ditëlindjen. Festa u organizua dhe shoqet e klasës së Namikes, vajzës së Lavdijes mbushën një shtëpi plot me gëzim. Lavdija vetë shihte e habitur gëzimin e fëmijëve. Mbase i kujtohej koha kur në duar bante djalin 1 vjeç e gjysëm, i cili i vdiq nga të ftohtit.
Përveçse ditëlindjes së vajzës, Elvis Naçi në emër të të gjithë kontribuesve, i uroi lumturi Lavdijes duke i dhënë një çelës, një çelës që i jep një zgjidhje kësaj familje të vuajtur. Naçi: Lavdije, siç gëzojnë sot fëmijët e ty këtu, merri këto çelësa sepse kjo këtu është banesa jote dhe shpresoj ta gëzosh gjithë jetën me fëmijët e tu. Lavdija: Nuk e besoj dot… (qan)… Naçi: Ta besosh që ç’ke me të. Lavdije, edhe me shëndetin besoj gjithçka do të shkojë mirë. Uroj ta ndjeni ngrohtësinë e shqiptarëve. Lavdija: Nuk di si t’ua shpërblej, unë nuk e bëj dot, por shpresoj që Zoti t’ua shpërblejë.
E teksa Lavdija qeshi për herë të parë pas shumë kohësh, ajo që kishte mbetur ishte sëmundja e saj. I shoqi i 37 vjeçares prej kohësh ka udhëtuar drejt Greqisë për të punuar ç’të gjejë, në mënyrë që të mund të përballojnë operacionin për të cilin ka nevojë Lavdija. Por falë shqiptarëve, nëna e tre fëmijëve arriti të shkojë në spital, atje ku deri dje nuk mund të shkonte as për të kryer seancat për shkak të varfërisë. Para operacionit, Lavdija thotë se e ka mendjen tek fëmijët. Nuk i tregoi se do të hyjë në operacion.
Lavdija: Rrugës po mendoja për fëmijët. Shpresoj që gjithçka të shkojë mirë, fare nuk kam frikë, por mall për fëmijët e mi kam që tani. Operacioni zgjati disa orë, e teksa nëna e saj priste e përlotur të bijën e vuajtur, mjeku del nga salla për të dhënë një lajm të gëzueshëm. Lavdija doli me sukses nga operacioni dhe tashmë jeta e saj nuk rrezikohet. Pas humbjes së një fëmije, kjo nënë shqiptare do të arrijë t’i rrisë vetë tre vajzat, falë dhjetëra kontributeve që shqiptarët mblodhën për të.