Një djalosh shqiptar që ka hyrë në Britani të Madhe përmes një rimorkioje rrezikon dëbimin pak javë pasi mbushi 18 vjet. Jeta e Sametit në Shqipëri ishte e mbushur me dhunë e abuzime. Kur ishte vetëm 11-vjeçar, ai u detyrua të kërkonte lëmoshë rrugëve, ndërsa kur mbushi 15 vjet u mor nga babai i tij me dhunë në Bruksel, në një vend të njohur për trafikim me njerëz në zemër të Evropës. Ai arriti të shpëtonte nga kthetrat e të atit në Belgjikë dhe shijoi lirinë për herë të parë, pasi u gjet në një kamion në Bristol, gati tre vjet më herët. Pas gjashtë muajsh në një shtëpi fëmijësh, shërbimi social e dërgoi Sametin të jetonte me John Stokesin, një kujdestar i njohur lokal që ishte kujdesur për gati 80 fëmijë problematikë qe 30 vjet. Që nga arritja në Bristol, në moshën 15-vjeçare e duke mos e njohur pothuajse fare gjuhën angleze, Sameti transformoi jetën e tij dhe po përmbushte ëndrrën e të qenit zdrukthëtar. Por pak ditë pasi Sameti mbushi 18 vjet muajin e shkuar, Ministria e Brendshme ia shoi ëndrrat, duke i thënë se kërkesa e tij për të qëndruar në Britani të Madhe është refuzuar.
Sameti, i diagnostikuar me çrregullim të stresit post-traumatik dhe me probleme për të folur për rrugëtimin drejt Britanisë së Madhe, ka thënë se “frikësohet” se do ta rikthejnë në shtetin ku s’kishte gjë, pos traumës. “Kisha stres kur mora letrën. Ndihem i frikësuar tani. Nuk dua të kthehem në Shqipëri. Shpresoj që Ministria e Brendshme të ndërrojë mendje. Jeta me Johnin është e mirë”, ka thënë ai për “metro.co.uk”.
Stokes, në anën tjetër, ka thënë se ndjen sikur qeveria “po e merr dikë nga një anije për emergjenca veç për ta hedhur sërish në det”. Kujdestari 66-vjeçar thotë se qeveria me automatizëm po refuzon të marrë vendime për azil për fëmijët deri kur i mbushin 18-vjet, transmeton Koha.net. “Sepse sapo të mbushin 18 ata nuk janë teknikisht fëmijë dhe është më e lehtë të largohen nga shteti”.
Stokes ka thënë se Sameti është djalë inspirues për anglezët në sistemin e kujdesit sepse “pavarësisht traumës, ai ka entuziazëm të paparë për ta përmirësuar jetën e tij”. “Ai është i jashtëzakonshëm në kolegj. Po e kalon kursin e dytë të zdrukthëtarisë. Të gjitha rezultatet e tij janë të jashtëzakonshme. Po zhvillohet shumë me anglishten e tij dhe gjithçka po i ecën siç duhet. Por kryesorja, ai është bërë pjesë e familjes”, ka thënë Stokes për Sametin. Stokes ishte një nga të parët burra kujdestarë për fëmijët, por lufta për ta mbajtur Sametin në shtet e ka bërë të dyshojë në të gjithë sistemin.
“Vihet në pikëpyetje pas 30-vjetësh nëse do të vazhdoj të kujdesem më sepse nuk e di sa mund t’i përkrah më. Kam një tjetër djalë shqiptar 20-vjeçar dhe është akoma me mua. Ka qenë me mua qe katër vjet. Të dy janë bërë pjesë e familjes. Nuk është familja më standarde, por ishin djemtë më mirënjohës për të punuar, për shkak të entuziazmit të tyre dhe vendosmërisë për të pasur sukses”, ka thënë ai. Një zyrtar i Ministrisë së Brendshme nuk kishte pranuar të flasë për rastin e Sametit duke thënë për “metro” se “do të ishte e papërshtatshme të komentojmë përderisa procedurat legale janë duke u zhvilluar”. Në anën tjetër, Stokes ka nisur një peticion me shpresën që qeveria “do të rikonsiderojë dënimin me vdekje që i kanë bërë Sametit”.