Daily Express shkruan se Shqipëria pritet për më shumë turistë, The Guardian e liston mes destinacioneve aventureske. Prej vitesh Shqipëria ishte sekreti i ruajtur në Evropë, por tashmë po shëndërrohet në një destinacion pushimesh shumë të preferuar, kështu shkruan britanikja Daily Express që thotë se vendi ynë është një alternativë e mirë kundrejt Kroacisë më të famshme.
Artikulli i plotë:
Qyteti evropian që po merr aeroportin e ri prej 88 milionë pound ndërsa vendi bëhet më i popullarizuar nga turistët. Ky komb i Evropës Juglindore po bëhet gjithnjë e më i popullarizuar në mesin e turistëve falë ofertave të lira dhe bukurisë mahnitëse. Shqipëria ka mbetur prej vitesh sekreti më i ruajtur i Gadishullit Ballkanik, me shumë turistë që e shpërfillin këtë vend si një destinacion pushimi në favor të Kroacisë më të famshme. Por, vitet e fundit, Riviera Shqiptare ka përjetuar një rritje të vizitorëve – përfshirë britanikët – të cilët kanë zbuluar se ujërat e saj të bruztë, plazhet me rërë dhe peizazhet e bukura mund të përjetohen me një çmim shumë të lirë.
Ky destinacion së shpejti mund të mirëpresë shumë pushues të tjerë pasi po përgatitet të nisë aeroportin e tretë ndërkombëtar, i cili do të shërbejë një nga qytetet më të bukura të rivierës shqiptare. Ky qytet, Vlora, është bërë veçanërisht i popullarizuar në mesin e turistëve falë vijës bregdetare shkëmbore, plazheve të bukura, ushqimit të jashtëzakonshëm të ndikuar nga kuzhina italiane dhe historisë së pasur. Krijimi i Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës me siguri do të sigurojë një arsye tjetër për turistët për të udhëtuar drejt kësaj rivierë, pasi do të shkurtojë kohën e udhëtimit nga qendra ajrore në bregdet.
Ndërsa Britanikja tjetër The Guardian e ka renditur Shqipërinë mes destinacioneve që janë ideale për aventurierët. Kjo media rekomandon udhëtimet me kuaj. Të apasionuarit pas këtij aktiviteti mund të eksplorojnë kodrat, luginat dhe pyjet, fshatrat mesjetare, kështjellat e rrënuara dhe manastiret bizantine. The Guardian rekomandon që udhëtimi të nisë dhe të përfundojë në qytetin e Gjirokastrës të listuar në UNESCO.