Zv/Ministrja e Mjedisit Vilma Bello nga studio e lajmeve MVN Live ka folur mbi menaxhimin e zonave bregdetare për këtë sezon veror i cili siç ajo u shpreh do të hapet në 1 Maj.
Ajo tha se në 27 shkurt u mbyllën dhe aplikimet për hapësirat publike për të cilat u shpreh se duke nisur nga ky vit ato do të jenë vetëm me kontrata 1-vjeçare dhe se sipas saj hapësirat e mbetura jashtë hartës së aplikime do të mbeten hapësira publike.
Ndër të tjera ajo shtoi se një nga pikat kryesore për zhvillimin e sezonit turistik mbetet koordinimi dhe bashkëpunimi, duke e cilësuar si një nga pikat kyçe për një sezon të suksesshëm.
Menaxhimi dhe koordinimi për një sezon më të qetë ka nisur shumë më herët që në tetor. Në 27 shkurt u mbyll afati për hapësirat e plazheve. Mbyllja e aplikimeve do të thotë se nuk ka më hapje sistemesh për herë të dytë dhe ata që kanë fituar aplikimin do të plotësojnë dokumentacionin e nevojshëm që në 1 maj të jemi gati për nisjen e sezonit veror.
Duke nisur nga ky vit do të ketë vetëm kontrata 1- vjeçare për një arsye të vetme sepse jo vetëm që i kontrollon më mirë por dhe struktura të reja që rrisin standardet ti nuk e pengon këtë zhvillim. Këtë herë subjektet janë njoftuar që më herët gjë që më parë nuk kishte ndodhur. Pra është koordinuar me pushtetin lokal dhe agjencitë e bregdetit. Duhet të kishim koordinim të gjithë bashkë për të pretenduar një sezon të suksesshëm veror. Dhe besoj se ja kemi dalë kësaj gjëje shumë mirë përmes një bashkëpunimi.
Bello tha më tej se sa i përket hapësirave publike po punohet për shtimin e tyre, ndërsa theksoi se dhe detyrimet e mbetura tatimore do duhet të shlyhen, ndërsa janë ngritur dhe grupe të posaçme për vëzhgimin e tyre.
Të gjitha detyrimet tatimore duhen shlyer. Kemi ngritur grupe të posaçme për të vëzhguar, të gjitha hapësirat e vendosura të hartës që kanë mbetur të aplikueshme do të mbeten në parcela publike. Sipas statistikave duket që do ketë një vëmendje të shtuar sepse ato janë parcela të pa aplikuara që do ti kalojnë hapësirave publike.
Nga ana tjetër këtu vlen të themi se vlen vlera e monitorimit tonë në terren me pushtetin lokal dhe me gjithë stafin e ministrisë do të jemi të gjithë në terren, askush nga ministria nuk do të ketë leje këtë sezon të gjithë do të jemi në terren. Do jemi në monitorim të të gjithë këtij procesi prandaj e kemi nisur kaq herët këtë veprim. Po punohet për zgjerimin e hapësirave publike. Nuk duhet të mjaftohemi vetëm me numrin e vizitorëve por dhe në cilësinë dhe një turizëm elitar.
