Paçka vendimeve të marra nga Ministria e Arsimit për kthimin e pjesshëm në institucionet arsimore të nxënësve dhe studentëve, sërish duket se mësimi online, do të jetë kryefjalë e këtij viti shkollor.
Eksperti i kësaj fushe Bardhyl Musai, shprehet se sistemi ynë arsimor u gjend i papërgatitur para kësaj sfide, ndaj dhe problematikat janë shumëdimensionale. ”Në këtë moment është pak e vështirë të flasim për cilësinë, pasi mungojnë pajisjet e duhura, është mungesa e programeve të përshtatshme për mësimin online dhe po shfrytëzohen disa platforma si rrjetet sociale. E treta është metodologjia. Këtu futet edhe metodologjia e zhvillimit të mësimit, por edhe e materialeve të përgatitur enkas për këtë”.
Nga ana tjetër, Musai ka disa sugjerime për vitin e ardhshëm akademik. ”Duhen të merren masa që të gjitha programet master të kalojnë në të nxënin e përzierë. Ka studentë që vijnë nga familje me vështirësi ekonomike dhe nuk paguajnë dot kostot e studimeve, ata duhet të punojnë. Kështu punohet edhe nga studentët e tjerë të botës. Duke qenë se është rezultativ studentët mund të vijnë vetëm dy ditë në javë në fakultet, psh të premte dhe të shtunë dhe ditët e javës të kenë mundësi të punojnë”.