Kreu i Shtetit, Ilir Meta çdo ditë e më shumë po del nga statura e Presidentit, duke u bërë udhëheqës i opozitës joparlamentare. Zgjodhi Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë, për të shkruar gjerë e gjatë se çfarë duhet bërë për të dalë nga situata e rëndë politike dhe jo vetëm, që Meta mendon se është futur Shqipëria. Sulmin e ka ndaj mazhorancës, të cilën e quan një shtet paralel të propagandës dhe PPP-ve (koncensionet nga partneriteti publik-privat). Ditën e sotme kreu i shtet postoi një foto të takimit të studentëve të dhjetorit me Ramiz Alinë, ku vetë Ilir Meta ishte pjese, dhe për herë të parë ata kërkuan që Shqipëria të jetë pluhraliste.
Ndryshe nga se është shfaqur, si njeri i “qetësisë dhe dashurisë”, afrimi i datës ku pritet të të merret vendimi për shkakrimin ose jo të tij për shkak të dekreteve për zgjedhjet vendore 2019, ka bërë që Meta të fillojë të flasë për revolucione imagjinare.
“Fenomeni i rrezikshëm i shtetit paralel të propagandës dhe PPP-ve, dhe axhendat e nëndheshme që kanë kapur për fyti Shqipërinë, nuk janë gjë tjetër veçse një komplot kundër demokracisë, çdo vlere e parimi të saj, kundër sovranitetit të të gjithë qytetarëve që duan një demokraci të vërtetë europiane dhe perëndimore. Ndaj ne sot kemi një mision të përbashkët historik: Të shpëtojmë demokracinë nga pengmarrja e një pakice të papërgjegjshme dhe jolegjitime! Koha nuk pret! O SOT O KURRË!”, shkruan ndër të tjera Meta.
Teksa rruga drejt rikthimit të protestave antiqeveritare duket të ketë gropa, pasi ende nuk dihet nëse do të nisin, frerët për të ngritur popullin në “revoltë” i ka marrë Presidenti Meta. Me një gjuhë të koduar, ai duket se kërkon ngritjen e popullit në protesta, kundër oligarkëve, të cilët sipas tij, është shumë e thjeshtë për t’i rrëzuar krahasuar me regjimin komunist.
“Zgjidhja nuk është largimi, por zgjimi dhe ndryshimi! Regjimi i bllokmenëve ishte shumë herë më i vështirë se regjimi i oligarkëve për t’u përmbysur!“, shkruan Presidenti.
Gjuha e Metës, është e ngjashme me atë të ish-kryeministrit Sali Berisha, që flasin për revolucione dhe axhenda të nëndheshme, me argumentin prej tyre “në emër të demokracisë në Shqipëri”, që në fakt duket se ka të bëjë më shumë me pushtetin e tyre.
Thirrjet revolucionare të Metës sot, lidhen edhe me takimin që pati kryeministri Edi Ramë me kancelaren Merkel, për të lobuar për çeljen e negociatave. Në disa konferenca radhazi, Ilir Meta ka thënë me siguri se Shqipëri nuk do të marrë çeljen e negociatave me BE-në, nëse nuk do të mbahen zgjedhjet me 13 tetor, datë që Meta e ka dekretuar, pasi çdekretoi 30 qershorin.
Por, optimizmi dhe sinjalet pozitive që po vijnë gjithnjë e më shumë për një vendim pozitiv nga Këshilli i Europës për çeljen e negociatave me Shqipërinë, do të thotë që Metës t’i bie edhe alibie kryesore e anulimit të zgjedhjeve.
Artikulimi i Metës kohët e fundit, nuk tregon gjë tjetër veçse përgatitjen e tij, që pas shkarkimit nga detyra e Presidentit të Republikës, për të marrë timonin e opozitës parlamentare, që deri tani nuk duket ta ketë pasur një të tillë, nga vetë fakti i përplasjeve dhe pakënaqësive të lindura brenda partisë Demokratike, por edhe opozitës që nuk duket të jetë më e bashkuar.
Postimi i plotë i Metës:
Të dashur miq, sot është Dita Ndërkombëtare e Demokracisë. Në themel të demokracisë qëndron vota, e drejta e çdo qytetari për t’u zgjedhur e për të zgjedhur, pluralizmi politik. Demokraci do të thotë që çdo qytetar të vendosë për të ardhmen e vet. Që çdo qytetar të ketë besim te roli i vet në demokraci. Që çdo qytetar të ketë mundësi për të ndikuar mbi vendimmarrjen. Për ta detyruar atë të jetë transparente, nëpërmjet llogaridhënies në çdo nivel vendor dhe kombëtar. Demokraci do të thotë që çdo qytetar të jetë i barabartë para ligjit.
Fatkeqësisht shumë nga këto parime e vlera që janë kolonat dhe zemra e botës demokratike, janë përçudnuar në vendin tonë. Zhgënjimi është i madh. Jo ndaj demokracisë që sollëm në dhjetor ’90, por ndaj formës së shëmtuar që ajo mori në 30 vite. Shpopullimi dramatik i Shqipërisë dhe humbja e shpresës, veçanërisht tek brezi i ri, është treguesi më i dhimbshëm dhe fatkeq. Shikoni ku jemi sot: të fundit në rajon para dyerve të BE-së. Dhe ende askush nuk mban përgjegjësi, përkundrazi. Ka edhe më shumë thellim në paligjshmëri.
Fenomeni i rrezikshëm i shtetit paralel të propagandës dhe PPP-ve, dhe axhendat e nëndheshme që kanë kapur për fyti Shqipërinë, nuk janë gjë tjetër veçse një komplot kundër demokracisë, çdo vlere e parimi të saj, kundër sovranitetit të të gjithë qytetarëve që duan një demokraci të vërtetë europiane dhe perëndimore.
Ndaj ne sot kemi një mision të përbashkët historik: Të shpëtojmë demokracinë nga pengmarrja e një pakice të papërgjegjshme dhe jolegjitime!
Koha nuk pret!
Kjo është beteja jonë! E njerëzve të lirë, të ndershëm dhe punëtorë, e rinisë sonë të mrekullueshme! E të gjithëve ne që e duam me shpirt dhe zemër Shqipërinë! Dhe unë jam më i vendosur se kurrë!
Për një Shqipëri demokratike, si gjithë Europa! Sepse liria, demokracia dhe dinjiteti njerëzor janë të panegociueshme! Mbrojtja e demokracisë sot është një detyrë patriotike për t’i rikthyer besimin çdo qytetari dhe çdo të riu se e ardhmja më e mirë është vetëm këtu dhe kjo kërkon kontributin e secilit për ndryshim.
Zgjidhja nuk është largimi, por zgjimi dhe ndryshimi!
Largimi u intereson atyre që duan të zbrazin Shqipërinë nga shqiptarët, ndaj prej kohësh kanë planifikuar vrasjen e ngadaltë të demokracisë dhe shtetit të së drejtës. T’ua kthejmë Shqipërinë shqiptarëve dhe vetëm atyre! Sepse të rinjtë tanë mund të gjejnë çdo gjë jashtë që u mungon sot këtu, por kurrë nuk do të gjejnë Atdhe!
Regjimi i bllokmenëve ishte shumë herë më i vështirë se regjimi i oligarkëve për t’u përmbysur!
Zgjidhja nuk është tërheqja dhe justifikimet foshnjore, por përballja me të keqen dhe ligësinë!