Një grua e pamartuar ka ngritur padi ndaj një spitali për refuzimin e kërkesës së saj për t’iu nënshtruar një procedure mjekësore për të ngrirë vezët e saj. Kjo është sfida e parë juridike në Kinë e një gruaje që lufton për të drejtat e saj riprodhuese. Sipas ligjeve të Kinës për riprodhimin artificial, vetëm çiftet e martuara mund të përdorin shërbime të tilla shëndetësore dhe ata duhet të jenë në gjendje të dëshmojnë statusin e tyre martesor duke treguar një licencë martese. Teresa Xu, vizitoi Spitalin e Obstetrikës dhe Gjinekologjisë në nëntor 2018, duke u kërkuar që ti ngrinin vezët, ndërsa ajo përqendrohej në karrierën e saj. Cilësia e vezoreve të gruas përkeqësohet ndërsa vitet ikin, duke paraqitur pengesa në ngjizjen e fëmijëve në mosha të mëdha. Përmes një procedure mjekësore, vezët e një gruaje mund të hiqen nga vezoret e saj dhe të ngrihen për t’u përdorur në një kohë të mëvonshme.
Por 31-vjeçarja tha se mjekët e pyetën për statusin e saj martesor dhe i kërkuan të bënte fëmijë në vend që të ngrinte vezët. “Shkova në spital për një shërbim profesional, por në vend të kësaj u përballa me dikë që po më nxiste të lija mënjanë punën time dhe të bëja një fëmijë,”- tha ajo. “Kisha mjaftueshëm presion nga shoqëria ku jetoj.” Rritja e shpejtë ekonomike e Kinës ka krijuar kushtet që gratë beqare të jenë të pavarura financiarisht, por politikat e vendit dhe industria mjekësore nuk janë në këtë ritëm. “Sistemi i ka vënë gratë në një pozicion të vështirë,”- shtoi gruaja. /Ora News.tv/
