E vetmja zhurmë që mbush rrugët shekullore të Mont Sant-Michel janë ato të kambanave të kishave. Ky ishull tërheqës, i ndërtuar mbi hapësira ranore në brigjet veriperëndimore të Francës, është mësuar të mbledhë 2 milionë vizitorë në vit. Tani është bosh dhe nëpër rrugë enden vetëm një grup i vogël banorësh, pronarë restorantesh, kafenesh e dyqanesh suveniresh, të cilat varen nga të ardhurat që sjellin turistët. Kryebashkiaku në ikje i komunitetit, Yan Galton, thotë se izolimi i shkaktuar nga COVID-19 ka hequr atmosferën kozmopolitane që krijonin turistët e huaj.
“Mont Sant-Michel po çlodhet, por nga pikëpamja ekonomike po e kuptojmë që është situatë e trishtuar, pasi turistët sjellin edhe një atmosferë të gjallë”, tha kryebashkiaku. Kisha u themelua në vitin 966, dhe në shekullin e 13-të nisi puna për kryeveprën arkitekturore, me muret e larta dhe kullat me spirale.
Dyndja e turistëve filloi në vitet 1980, pasi vendi hyri në listën e Trashëgimisë Botërore. Në hyrje të qytetit është restoranti 132 vjeçar, “La Mere Poulard”, ku kanë drekuar njerëz si Pablo Picasso, Glenn Close dhe Coco Channel. 250 punonjësit e këtij restoranti janë përkohësisht pa punë, të mbuluar nga ndihma ekonomike që ofron qeveria. Sezoni i turizmit me dyndje fillon që në prill, por masat kufizuese në Francë do të vazhdojnë të mbeten në fuqi të paktën deri më 11 maj.
Por edhe pas asaj date, nuk dihet me saktësi se cilat do të jenë bizneset që do të rihapen, dhe nëse do të përfshihen apo jo pikat turistike. Mont Sant Michel ka qenë për shekuj një vend i shenjtë për pelegrinë. Edhe pse pandemia s’e ka ndalur punën dhe lutjet e pesë murgjve dhe gjashtë murgeshave, ata thonë që kjo përgjumje nuk i shkon për shtat ishullit.