Nënkryetari i Parlamentit, Myslim Murrizi, paralajmëroi lëvizje të re politike, në zgjedhjet parlamentare të 2021. I ftuar në emisionin “Kjo Javë” të gazetares Nisida Tufa, në News24, Murrizi tha se është e sigurt që në zgjedhjet e 2021 do të kandidojë, ndonëse nuk e ka vendosur ende siglën. Sa i takon ndihmave që po shpërndahen për familjet në nevojë, për shkak të situatës së krijuar nga koronavirusi, deputeti theksoi se gjithçka është propagandë bajate.
“Jam futur në faqen e Ramës dhe i kam marrë me numra, 10 ditë nuk i ka publikuar fare. Në Qarkun e Gjirokastrës janë shpërblyer mbi 26 mijë familje, ndërkohë që ky qark ka 20 mijë familje. Ku i gjeti ky 26 mijë famije? I bie të mos ketë ngelur familje pa marrë ndihma. Kështu që është një propagandë bajate, që nuk di pse e bëjnë”, tha Murrizi.
Pjesë nga intervista:
Si po menaxhohet situata?
Shpreh keqardhje për mjekët, se janë përdorur politikisht. Të përdoresh rëndomë nuk është normale, aq më tepër për bluzat e bardha, se ndaj e kanë bluzën e bardhë. Iu kam thënë edhe drejtpërdrejt mjekëve, çfarë informacioni kanë për këtë virusin dhe kanë thënë që nuk kanë, pasi është virus i ri. Ndaj nuk më vjen mirë, që përdoren, dalin çdo ditë e japin këshilla, laj duart me sapun, të dielën nuk kap nënat me fëmijë.
Çfarë ortakërie politike ka tani?
Kurrë nuk kanë qenë veç dhe siç iu paraqiten shqiptarëve, sikur luftojnë njëri-tjetrin, por ka qenë bashkë prej 1993.
A ka ndonjë ujdi për të mbajtur pushtetin?
Nuk është prishur ujdia prej atij viti. Ortakëria e fundit është ai I 2013, i aleancës së prillit, ajo e ngjalave. Në prill 2020, Meta shkon sërish në prehërin e Ramës. Kemi bërë nëntë reforma zgjedhore, më e poshtra ishte e 2008, që u kthyem si në kohën e komunizmit.
Pse e mbështeti Meta qeverinë për ndryshimet në Kodin Penal?
Po se nuk janë ndarë kurrë. Si ta besoj që Meta është prishur me Ramën, kur manifestimi i 2 marsit ishte autogol i Bashës. Metën e zgjodhën President këta që janë sot në pushtet. Tani thonë se do therin si dashë bajrami, besoj do e therin para bajramit, këtë Dvoranin.
Ku po ngec Reforma Zgjedhore?
Basha dhe Rama nuk kanë këllqe që të shkojnë te qytetarët me lista të hapura dhe të shohin kë do të sjellin qytetarët në parlament. Asnjë në atë sallë nuk është përfaqësues i popullit. Këta nuk kanë vullnet për reformën, sepse kanë frikë.
A do jeni sërish në Parlament?
Që do jem në Parlament, do jem, por për siglën me të parë e me të bërë. Po e mendoj seriozisht për një lëvizje, me një listë ndryshe. Do të kandidoj më 2021, nuk bëhet fjalë fare.