Nga Skënder Minxhozi
Protesta e studentëve ju rikthye shesheve kryesore të Tiranës pas festave të Vitit të Ri dhe ata që prisnin të shihnin turmën masive dhe imponuese të studentëve të javëve të shkuara, dolën thjesht të zhgënjyer. Varavingot e partive në prag të Vitit të Ri, për të mobilizuar degët e forumeve rinore nëpër rrethe, mesa duket e bënë punën e tyre: protesta e të hënës që e vogël, zëpakët dhe interesi rreth saj në rënie.
Ka shumë mënyra për ta interpretuar faktin se përse një nismë kaq masive dhe pozitive, si ajo e studentëve të Tiranës, që detyroi qeverinë e kryeministrin të prishin gjumin e natës, që provokoi largime të bujshme ministrash dhe zgjoi simpatinë e të gjithë shoqërisë shqiptare, po fillon të humbasë gradualisht sharmin dhe peshën e saj. Për t’u tkurrur në një grusht njerëzish që i prin një i ri energjik me kaskë biçiklete në kokë, i cili detyrohet të improvizojë, së bashku me disa të tjerë, mesazhet e hedhura spontanisht. Cilat janë arsyet e bjerrjes së kësaj kauze që me të drejtë u konsiderua si një shkulm ajri i freskët mbi ambjentin e mykur të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë?!
Analiza e kësaj dinamike të protestës studentore do të kërkojë kohë të bëhet. Kjo është detyrë e atyre që merren me analiza. Vetë protesta ka për mision në momentin aktual, të ruajë pastërtinë dhe pulsin e saj, ashtu si qeveria ka për detyrë të plotësojë brenda kuadrit të ligjit dhe mundësive financiare, kërkesat mëse të drejta të studentëve për tarifa të ulëta, kushte mësimi njerëzore dhe dinjitet për arsimin e lartë shqiptar.
Nga ana tjetër, protesta studentore duket se po përballet tashmë me detyrën e vështirë për të motivuar vetveten. Për të gjetur energjitë dhe fuqinë tërheqëse që demostroi gjatë nëntorit, kur nxorri në rrugën e Durrësit mijëra të rinj që nisën të shkruajnë një faqe të bukur historie. Atë faqe që sot mesa duket po e sabotojnë dhe keqpërdorin partitë politike dhe po e tkurr paqartësia e vetë studentëve për të ardhmen e lëvizjes së tyre.
Protesta është një grumbullim i lirë dhe vullnetar njerëzish. Nëse për të siguruar pjesëmarrjen e dhunshme në të duhet gozhduar një derë fakulteti apo universiteti, këtu jemi në pozitën e një degradimi të hapur të vetë protestës. Akte anakronike si ky mund të ishin kursyer në ditën e protestës studentore. Studentët nuk patën nevojë t’u mbyllte askush derën e shkollës një muaj më parë, për të rrethuar me ditë të tëra zyrën e Lindita Nikollës. Nuk kanë nevojë as sot t’i kapësh për mënge e t’i nxjerrësh dhunshëm në shesh. Nëse mendojnë që qeveria ka bërë pak në raport me.kërkesat e tyre le të vazhdojnë. Por të kenë të qartë edhe mënyrën sesi do ta arrijnë uljen e Ramës në tryezë për së dyti.
Na duhet një protestë e lirë dhe me qëllime të qarta për misionin që ka, jo një lënie e dhunshme e orëve të mësimit. Përdorimi politik dhe humbja e momentit dhe e pikës së gravitetit, po e bëjnë problematike vijimin e protestës për organizatorët e saj. Ata të vërtetët, se sa për forumet rinore partike, ata janë në rregull me shifrat qesharake të pjesëmarrjes poshtë zyrës së Edi Ramës.
Protesta e studentëve ndodhet në këtë fillimviti, në një udhëkryq delikat për të ardhmen e saj. Mungesa e një lidershipi, forca dhe njëherësh dobësia e kësaj lëvizjeje masive të rinjsh, është një rrethanë që po tentohet të keqpërdoret nga levat e opozitës brenda protestës dhe kjo e bën edhe më problematik rrethin vicioz ky ndodhet sot vetë protesta. Është koha për të kthyer në produkt dëshirën e para një muaji të mijëra studentëve, por është gjithashtu koha që studentët të kuptojnë atë që duan sot: vijimin e një proteste gjithnjë e më të vogël e të manipuluar, apo kthimin në auditore?! Numrat bëjnë diferencën. Me këtë përmasë, protesta peshon pak në skakierën e punëve shqiptare.