Ditën e sotme është ndarë nga jeta autori dhe përkthyesi i njohur Ilir Hashorva. Lajmin e ka bërë të ditur botuesja e ‘Toena’, Irena Toçi, e cila shpreh dhimbjen e madhe që ka në këto momente. Ilir Hashorva ishte djali i mësuesit dhe përkthyesit të njohur Ali Hashorva. Ai ka botuar shumë libra vëllimi “Gandi – jeta”, “Gandi – filozofia dhe feja, Gandizmi” dhe “Analiza e komente për Gandin dhe Gandizmin”.
Në nder të 75-vjetorit e Çlirimit të Shqipërisë, ai zgjodhi të përkthejë dhe të sjellë në shqip “8 orë nga Anglia” të britanikut Anthony Quale – një dëshmi historike e ndodhive të Luftës së Dytë Botërore, hedhur në botim nga autori menjëherë pas fitores të koalicionit antifashist, me dëshmi autentike dhe të pandikuara nga ngjarje të tjera të mëvonshme.
Një punë të shkëlqyer bëri Iliri edhe për përgatitjen për shtyp të përkthimeve me shumë vlerë të realizuara nga i ati, Aliu: “Skënderbeu” i Alessandro Cuttolo-s (Toena 2018), “Princi” i Niçolo Machiaveli-t (Toena, 2019) dhe “Dekameroni” i Giovanni Boçaçio-s (në proces botimi) .
Të gjitha këto vepra u përgatitën nga Ilir Hashorva, ndërkohë që ai jetonte e punonte në Nju-Jorkun e largët, ku edhe do të prehet tanimë përgjithmonë.
Shkruan Irena Toçi:
Lamtumirë i nderuari Ilir Hashorva! Me dhimbje të thellë mësova për largimin nga jeta të Ilir Hashorvës, mikut dhe bashkëpunëtorit të Shtëpisë Botuese Toena për shumë vite.
Megjithëse këto ditë lajmërimet për largimin nga jeta janë bërë të “zakonshme”, lajmi për vdekjen e tij të beftë na gjeti të papërgatitur, na ngarkoi me dhimbje e trishtim të përligjur. Bashkëpunimi i Shtëpisë Botuese Toena me autorin dhe përkthyesin Ilir Hashorva, të birin e denjë të mësuesit dhe përkthyesit të njohur Ali Hashorva, nisi diku rreth vitit 2009 me botimin e vëllimit të parë të përgatitur prej tij, për figurën emblematike të Gandit, titulluar “Gandi – jeta”. Në vitet në vazhdim ky vëllim i parë u pasua nga botimi i dy vëllimeve të tjera kushtuar Gandit: “Gandi – filozofia dhe feja, Gandizmi” si dhe “Analiza e komente për Gandin dhe Gandizmin”.
Pothuajse në të njëjtën kohë u botuan nga Botimet Toena edhe dy biografi të përgatitura me kujdes, kulturë e përkushtim të veçantë prej tij, njëra kushtuar “Nelson Mandela-s” dhe tjetra “Martin Luter King-ut”.
Me mjaft përkushtim e përgjegjësi përgatiti ai edhe biografinë e hebreut të mirënjohur Simon Vizental, biografi e cila u botua nga Toena më 2015, së bashku me librin e vetë Simon Vizentalit “Lulja e diellit”.
Në nder të 75-vjetorit e Çlirimit të Shqipërisë, ai zgjodhi të përkthejë dhe të sjellë në shqip “8 orë nga Anglia” të britanikut Anthony Quale – një dëshmi historike e ndodhive të Luftës së Dytë Botërore, hedhur në botim nga autori menjëherë pas fitores të koalicionit antifashist, me dëshmi autentike dhe të pandikuara nga ngjarje të tjera të mëvonshme.
Një punë të shkëlqyer bëri Iliri edhe për përgatitjen për shtyp të përkthimeve me shumë vlerë të realizuara nga i ati, Aliu: “Skënderbeu” i Alessandro Cuttolo-s (Toena 2018), “Princi” i Niçolo Machiaveli-t (Toena, 2019) dhe “Dekameroni” i Giovanni Boçaçio-s (në proces botimi) .
Të gjitha këto vepra u përgatitën nga Ilir Hashorva, ndërkohë që ai jetonte e punonte në Nju-Jorkun e largët, ku edhe do të prehet tanimë përgjithmonë.
Njeri serioz e i vetëpërmbajtur, intelektual me integritet dhe mendim të pavarur, autor dhe përkthyes i shkëlqyer, autor i dhjetëra shkrimeve në shtypin bashkëkohor gjithashtu, ishin cilësitë që e bënë të ishte një bashkëpunëtor të vyer të Botimeve Toena për më shumë se 12 vjet rresht.
Lamtumirë Ilir Hashorva! I paharruar qoftë kujtimi Yt, përmes Veprës tënde të çmuar!
Irena Toçi Botuese Botimet Toena