“Mosmarrja e një vendimi të merituar për Shqipërinë për çeljen e negociatave është rezultat i një përplasje të brendshme në tryezën e familjes europiane, por rruga jonë vazhdon pa asnjë lëkundje dhe pa asnjë ekuivok për të bërë detyrat e shtëpisë që janë të qarta”.Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama, në një prononcim për shtyp pas mbledhjes së kryesisë së Partisë Socialiste.Natyrisht, tha ai, “kemi rënë të gjithë dakord për faktin se kjo nuk ndryshon asnjë gjë në trajektoren strategjike të vendit, të Partisë Socialiste dhe të qeverisë sonë”.Ndërkohë, Rama tha se “në ditët në vijim ka një sërë komunikimesh të përcaktuara në axhendë me Presidentin e Francës dhe me një sërë drejtuesish të tjerë të vendeve anëtare për të kuptuar ecurinë e mëtejshme të procesit”.
“Nga ana tjetër, pa diskutim që në aspektin praktik ne jemi të qartë që duhet të vazhdojmë çdo ditë punën, sepse edhe nëse do të kishim marrë një ‘Po’ të shumëpritur dhe të merituar disa ditë më parë, detyrat janë po ato që janë edhe pa atë ‘Po’. Pra, ecim përpara me reformën zgjedhore dhe brenda vitit të ngjisim shkallën e parë të miratojë në parlament të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, si pjesë e ligjit zgjedhor. Po ashtu të presim, se në këtë aspekt nuk kemi ne diçka më shumë për të bërë, plotësimin e Gjykatës Kushtetuese dhe me radhë të gjitha pikat e përcaktuara nga Bundestagu gjerman, që janë të rëndësishme për ne dhe jo të nevojshme për Gjermaninë dhe BE-në”, – tha Rama.I pyetur lidhur me kërkesën e opozitës për dorëheqje, Rama tha se “nuk ka asnjë gjë të re, pasi ata kanë punuar shumë fort dhe nuk kanë lënë gur pa luajtur për të dështuar procesin”. “Nuk ia kanë dalë, sepse ne ia kemi arritur të kapërcejmë pengesën e ngritur artificialisht në 6 muajt e parë të vitit duke marrë mbështetjen e fuqishme të Kancelares Merkel dhe të Gjermanisë”, – tha Rama.
Kryeministri tha se “faktikisht, qoftë Maqedonia e Veriut, qoftë Shqipëria, nuk ka arritur të marrë atë që u takonte jo si rezultat i një rezerve substanciale ndaj tyre, por si rezultat i një përplasje të brendshme në tryezën e familjes europiane, ku sot është materializuar ajo që kisha paralajmëruar prej disa kohësh me të gjitha fjalimet e mia në parlament, një konflikt mbi të ardhmen e BE-së”, – tha Rama.Në këtë pikë, Rama u shpreh se “nuk besoj se ne këtu, apo ata në Maqedoninë e Veriut kanë më shumë në dorë sesa të bëjnë detyrat e tyre të shtëpisë dhe detyrat e shtëpisë janë shumë të qarta”.“Dielli ka dalë përsëri, dita ka filluar përsëri dhe rruga jonë vazhdon pa asnjë lëkundje dhe pa asnjë ekuivok. Ne duam të bëjmë Shqipërinë europiane për shqiptarët, për fëmijët tanë dhe këtë do të bëjmë”, – tha Rama.