Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi deklaroi sot se në fund të muajit maj, nëse treguesit e pandemisë vijojnë të jenë në përmirësim, presim charterat e parë, kryesisht nga vendet që shënojnë pak raste të të prekurish me infeksionin. “Së bashku me Ministrinë e Shëndetësisë kemi hartuar dhe shpërndarë për mendim një set rregullash strikte për menaxhimin e stacioneve të plazhit, strukturave që mbështesin turizmin, duke filluar që nga hotelet, baret, restorantet dhe kompanitë e transportit”, bëri të ditur ministri Klosi në një intervistë në media.
Sipas Klosit, synojmë që të kemi të gjithë mekanizmat në këmbë në mënyrë që të presim charterat e parë me turistë në fund të muajit maj, nëse Ministria e Shëndetësisë, ajo e Jashtme dhe e Transportit do të vendosin të lejojnë fluturimet në Shqipëri nga zona pak të prekura, siç janë për Polonia, Çekia, Vendet Skandinave, etj. Ministri theksoi se qeveria po vijon me lehtësimin e masave që kufizojnë lëvizjen dhe duke parë edhe ecurinë e situatës do të merren vendimet.
“Nëse do të kemi karantinim të nevojshëm është e pamundur të presim turistë. Ajo që duam të përshpejtojmë është që të fillojmë me turizmin e brendshëm, duke e vënë në funksion transportin e brendshëm publik, duke vënë në përdorim baret, restorantet, agroturizmin, të kemi hapjen me Kosovën dhe me Maqedoninë e Veriut. Hapja e kufijve rajonalë, shpresoj të ndodhë në mesin e muajit maj”, theksoi Ministri. Ministri Klosi vuri në dukje se në protokollet e shpërndara për mendim ka kufizime që lidhen me shërbimet, duke kërkuar që mos ketë shërbime all inclusive, pra ato që janë me shërbime të përbashkëta.
“I gjithë thelbi mbetet te masat e rrepta higjienike dhe distancimi. Mbi këto dy parime janë ngritur edhe protokollet. Besoj se viti 2020 do të jetë një vit me shumë kontroll dhe shumë kujdes. Problemi nuk do të jenë çadrat, por deti. Do të kërkohet mos larja e shumë njerëzve bashkë dhe do të monitorohen ambientet e përbashkëta të bareve dhe restoranteve”, u shpreh Klosi.