Nesër në Shqipëri do të fillojnë shërbimin taksitë, në kuadër të masave lehtësuese ndaj pandemisë. Taksitë do të lejohen për lëvizjet brenda qytetit, megjithatë nën masa të rrepta sigurie, për të parandaluar përhapjen e COVID-19.Drejtoria e Përgjithshme e Transportit Rrugor dhe Ministria e Infrastrukturës kanë nxjerrë urdhrin se si do të funksionojë shërbimi Taksi, ku thuhet se fillimisht shoferi dhe pasagjeri duhet të jenë të pajisur me maska, doreza dhe dezinfektant si dhe duhet të shmangen kontaktet fizike.
Ndërkohë nuk do të lejohet më shumë se një klient në taksi dhe ai duhet të ulet mbrapa dhe diagonalisht me shoferin e mjetit, përjashtim nga ky rregull bëjnë vetëm rastet nga e njëjta familje dhe të shoqërimit me të mitur apo persona me paaftësi. Gjithashtu një tjetër pikë që duhet respektuar është edhe ajrosja e mjetit në mënyrë natyrale pra kondicioneri duhet të jetë i fikur dhe dritaret e mjetit të qëndrojnë pakëz hapur.
Ndërkohë shoferi pas çdo pasagjeri, duhet të dezinfektojë: timonin, dorezat e dyerve të mjetit, sediljet, rripat e sigurimit, kontrollet e dritareve, butonin e bagazhit. Rregulla duhet të ndiqen edhe për pagesën e udhëtimit, pasi shoferi pas pagesës me kartë apo cash, shoferi dhe pasagjeri duhet të dezinfektojnë duart.