Gjatë fjalës së tij në Asamblenë e PS, kryeministri Edi Rama foli për projektet në infrastrukturë që pritet të nisin së shpejti në disa zona të vendit. Sipas kreut të qeverisë, dy porte në Vlorë, porti turistik i Sarandës dhe ndërtimi i portit të ri në Durrës janë prioritete të mazhorancës.
“Nuk do presim mandatin e tretë për Portin e Vlorës. Për dy portet e Vlorës, më fal, sepse ky që ështëa the në qytet do të bëhet një port turistik. E kanë premtuar të gjithë, komplet, në të gjitha fushatat. Mbaj mend atëherë, premtonin Transballkaniken dhe portin.
Unë atëherë nuk e kuptoja çfarë ishte Transballkanikja. Më dukej sikur do sillnin gjithë Ballkanin në Vlorë. Kurrë nuk u bë. E bëmë ne. Portin turistik do e nisim ne dhe do e nisim brenda pak kohe. Pra, aty në pranverë do të jetë kantier., para zgjedhjeve, para përfundimit të mandatit. Ndërkohë do ndërtojmë portin e ri të mallrave dhe për peshkatarët e Vlorës. Por jo vetëm kaq.
Porti i Durrësit do të ikë nga aty. Aty do të bëhet port turistik. Nuk mund të shkarkohet më krom dhe qymyr në zemër të qytetit sikur jemi në kohën e “Kështjesllës buzë Adriatikut”. Do ndërtojmë portin e ri të mallrave në Porto Romano. Dhe kjo nuk do ndodhi pas 100 vjetësh dhe nuk është HD. Është diçka që do të ndodhë shpejt, do të vijë shpejt. Po kështu do të kemi portin e ri në Sarandë që do të fillojë ndërtimi shumë shpejt. Edhe ky para se të përfundoj ky mandat. Më pas, së bashku me qeverinë e Kosovës, për të vlerësuar Portin e Shëngjinit“, tha Rama.
Kryeministri foli ndërkohë edhe për investimet në rrugë.“Ndërkohë brenda pak javësh fillon ndërtimi i rrugës Milot – Fier. Më në fund një rrugë ku makina ka rrugën e vet. Lopët kanë shtigjet e tyre, qentë dhe macet kanë kanalet e tyre dhe njerëzit nuk bëhen mish për top atje. Paralelisht me fillimin e Milot-Fier do të shpallim Milot-Murriqan. Nga Murriqani deri në Vlorë do të shkohet pa u ndaluar nga askush.
Nga ana tjetër është edhe Milot-Rrëshen. Se këta thonë bëmë Rrugën e Kombit ndërkohë që Rruga e Kombit vazhdon atje. 7 ura u ndërtuan në këtë kohë. Po flas për projekte që janë konkrete dhe reale, që janë ose në fillim ose duke filluar”, tha ndër të tjera kryeministri Rama gjatë fjalës së tij në Asamblenë e PS.
