Ditën e sotme Ministria e Shëndetësisë njoftoi se janë shtuar me 10 persona, rastet me të prekur nga koronavirusi në vendin tonë, ndërkohë që është zgjeruar dhe harta me qytetet që kanë shënuar të sëmurët e parë.
Nga rastet e konfirmuara pozitivë ndarja në qytete është si më poshtë:
Tiranë 19 raste
Durrës 5 raste (njëri prej të cilëve ka ndërruar jetë)
Lushnje 1 rast
Elbasan 2 raste
Fier 4 raste
Rrogozhinë 2 raste
Burime bëjnë me dije se një prej personave që ka rezultuar pozitiv në qytetin e Fierit, është një burrë që ka ardhur nga Italia, disa ditë më parë.
I infektuari ka udhëtuar nga Rinasi drejt Fierit, ndërkohë që më pas ka përdorur dhe mjetet e transportit publik për të shkuar në drejtim të qytetit të Patosit.
Mendohet se burri nga Patosi ka qenë në të njëjtin avion me 73 vjeçaren që ndërroi jetë nga Durrësi.
Të njëjtat burime bëjnë me dije se mosha e personit të prekur është rreth 65-vjeç, ndërsa e gjithë familja e tij pas zbulimit të rastit pozitiv është vetëizoluar, për shkak se kanë pasur kontakte me të, dhe mund të rezultojnë po ashtu të prekur me COVID-19.
Nuk dihet ende nëse ata i janë nënshtruar testeve që kryhen vetëm në ISHP, pasi një pjesë e qytetarëve kanë pretendime se nuk u përgjigjen teksa telefonojnë në numrin 127 të urgjencës.
