Nga Spartak Ngjela
Rama po i pranon tetë pikat e studentëve, pasi kritikoi qeverinë dhe partinë e tij, pa thënë asgjë për veten. Por çfarë do të thotë kjo, frikë apo kthesë e kryeministrit drejt antikorrupsionit?
Sigurisht që në fillim është frikë; pastaj mund të jetë edhe shumçka tjetër.
Është ky një pranim për të mbrojtur veten, apo është një pranim se vetë kryeministri shqiptar doli i zbuluar në një proces antidije, i cili ka filluar në Shqipëri që në vitin 1992?
Shqipëria sot ka një universitet publik me botë akademike nënmediokër; me tekste jashtë nivelit shkencor; me pedagogë që shesin notat edhe me 1000 euro provimi.
E gjithë kjo ka qenë një shfaqe e shëmtuar që tani sigurisht se ka hyrë në histori, dhe që i ra Ramës që ta paguajë. Por a do ta paguajë?
Kurrë nuk kam menduar se gjendja e mjeruar e universitetit publik shqiptar ka qenë një fenomen objektiv; sepse ajo tani kuptohet se ka qenë një tendencë subjektive antidije që e ka kërkuar antiintelektualizmi i qeverisjeve shqiptare që nga viti 1992.
l.
Megjithatë Kryeministri shqiptar dje vendosi të hyjë zbathur në një tokë të djegur. Por pyetja është se kush është djegësi i kësaj toke? Një nga këta djegësa kuptohet se ka qënë edhe Edi Rama kryeministër.
Në fakt, nën një analizë politike, konkludon se ai ka dështuar në një nga reformat eseciale të zhvillimit shqiptar: reformën në arsim.
Në çdo vend demokratik një kryeministër i tillë që kërkon të bëjë reformë në arsimin e lartë me 85 milionë euro në vit buxhet dhe me një studentat që i kalon 100 mijë studentë, ose është injorant, ose është i angazhar drejtpërsëdrejti kundër zhvillimit modern të Shqipërisë. Si mund të studiojë një student në një universitet ku kostoja për student është 850 euro në vit !!!
Në fund të fundit të gjitha qeveritë shqiptarë kanë qënë korporata biznesi korruptiv të cilat, në 20 vjet, sipas kalkulineve të provuara nga shërbimt e huaja, kanë grabitur nga 800 milionë Euro në vit e deri në një miliardë.
Ky është krimi, qeveri që kanë shpenzuar për arsimin e lartë në Shqipëri 45 e deri në 85 milionë Euro në vit, dhe kanë përvetësuar për vete një miliardë euro në vit.
Në fakt ky është krimi makabër që në fakt ka filluar të hetohet në Shqipëri, por do të dalë hapur juridikisht muajt e parë të vitit 2019 pas konstituimit të prokurorisë së Posaçme dhe Gjykatës së Posaçme.
Studentët me tetë pikat e tyre kanë denoncuar hapur pikërisht këtë krim shtetëror; dhe duke qenë të parët, sigurisht që kanë hyrë në historinë modernë të Shqipërisë si shkëndia e parë që do t’i vërë zjarrin korrupsionit dhe do të vendosë moralitetin në qeverisjen shqiptare.
Pikërisht për këtë arsye dhe në funksion të kësaj, këtu na del përpara kjo pyetje:
Rama po kërkon të shpëtojë një pushtet personal me të cilin nuk diti të bëjë asgjë, apo po rreket të shpëtojë partinë e tij, si maxhorancë, duke i hapur rrugë një kryeministri tjetër?
Kjo pritet për t’u parë.
Por, Oscar Wilde na ka thënë: “I lartë apo i ulët qoftë, kriticizmi është një mënyrë e autobiografisë”. (The highest, as the lowest, form of criticism is a mode of autobiography.)
Kështu është dhe me qeveritë: dhe kështu po i ndodh dhe Ramës. Duke kritikuar qeverinë e tij, ai po bën biografinë e qeverisjes së tij. Po ende është në fillim.
Sapo ka filluar… Dhe pyetja tjetër është kjo: çfarë do të bëjë me korruposinin e qeverisë së tij e cila ka përvetuar personalisht rreth një miliarde Euro në vit?
ll.
Kur të tremburit premtojnë, ata që i kanë trembur duhet të qeshin.
Kur të tremburit i bëjnë kritikë vetvetes, ata që i kanë trembur dhe e dinë të vërtetën duhet t’i trembin derisa të tremburit të tregojnë të gjithë të vërtetën nga e cila janë trembur.
A duhet të tallen tani studentët me Ramën. Jo. Ata duhet të vazhdojnë që ky kryeministër ta bëjë në fillim të gjithë biografinë e qeverisë së tij, dhe pastaj të denoncojë të gjithë korruposinin njëzetvjeçar të qeverisjeve në Shqipëri.
A duhet studentët të shkrihen gazit me përbuzje me Bashën me shifrat qesharake që ofroi ai dje për financimin e universitetit publik?
Sigurisht që po. Me sa pare mend jep ky premtime kur vetë nuk ka asnjë gjë në dorë? Është naiv se mendon se duke ia paraqitur studentëve ato gjëra minimale pa asnjë forcë për t’i bërë, shkon me shpresë që ky të bëhet lideri i drejtimit të revoltës studentorë.
Po studentët përse ta duan! Ai nuk di të bëjë asgjë.
Por pastaj, edhe shifrat që dha ishin qesharake, shumë të ulta, thuajse asgjë. Kush e do zhvillimin shqiptar sot, duhet të kuptojë se vendi ka nëvojë për tre rreforma të mëdha: reformën në arsim, reformën në drejtësi dhe reformën në treg.
Rëformën në drejtësi na i bënë amerikanët dhe europianët; kurse dy të tjerat duhet t’i bëjmë vetë. Le ta lëmë reformën në treg, se kërkon një tjetër aspekt arsyetues.
Kurse reforma në arsimin e lartë publik shqiptar sot ka nevojë për një rritje drastike: nga 85 milionë euro buxhet, në 850 milionë euro buxhet shtetëror në vit.
Prandaj: a është në gjendje ky kryeministër që të dijë të bllokojë korrupsionin gjigand që përpin një miliardë euro në vit, dhe këto t’ia japë zhvillimit të arsimit të lartë publik, që ky pastaj të këtë mundësinë për të angazhuar profesorë të njohur nga universitetet perëndimorë dhe të fillojë kështu realisht investimi në intelekt në Shqipëri?
Por beteja për të arritur këtu duhet të vijoje.
Studentët nuk duhet të ndalen… sot shqiptarët aty e kanë shpresën. Shqiptarët duan të vërtetën pse janë të varfër shoqërisht. Po, a mund ta bëjë kryeministri aktual këtë?
Po ka ca pak mend, duhet ta bëjë që të ketë shpresë për mbijetesë.
Duhet ta pranojme se, te këta studentë është mbledhur sot i gjithë progresi i pritshëm i Shqipërisë dhe me forcën e tyre morale ka konverguar në një pikë: të shkallmojë me paqe dhe masivitet dhe me intelekt të gjithë banditizmin shqiptar që ka qeverisur dhe po qeveris Shqipërinë…