Ulja e mëtejshme e temperaturave ka rritur mundësitë për borë edhe në qytetet jugore. Gazetarja Brikena Metaj raportoi për “BalkanWeb” se mëngjesin e sotëm ka nisur të bjerë borë në Gjirokastër por deri tani nuk ka pas probleme.
Pjesa e sipërme e qytetit pati që dje reshje bore. Mësohet se të gjitha akset rrugore në qarkun e Gjirokastrës janë të kalueshme pa zinxhirë.
Por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për Dibrën. Gazetari Enver Doçi raportoi se ka probleme në zonat e thella nga prania e akullit dhe ngricës në rrugë. Në disa zona të thella mjetet e kanë të pamundur qarkullimin për shkak të ngricave, ndërsa në disa të tjera trashësia e borës arrin në 40 cm.
Për sa i përket rrugës nacionale Kukës-Peshkopi kalohet me vështirësi, ndërsa rruga nacionale Peshkopi-Tiranë kalohet pa probleme. Borëpastrueset janë në gatishmëri të plotë. Në lartësinë mbi 800 metër mbi nivelin e detit kanë vazhduar reshje dëbore. Disa zona rurale si në Bulqizë dhe Dibër janë të izoluara nga dëbora.