Pak pas nisjes për në Zyrih, ku e kishte destinacionin, një aeroplan i Kompanisë Austrian Airlines u kthye në Aeroportin e Vjenës. Arsyeja: një kundërmim i çuditshëm në pjesën e prapme të kabinës.
Këtë konstatim e konfirmon edhe një zëdhënës i kompanisë në fjalë, shkruan 20minuten.ch. “Kur avioni kisht nisur fluturimin, një kundërmim i pazakonshëm ka tërhequr vëmendjen e stafit të aeroplanit. Pas informimit të pilotëve, ata vendosën që të bëhej kthimi në vendin e nisjes.
“Siguria është në vend të parë për ne”, ka thënë më tutje zëdhënësi. Ai ka bërë me dije se në asnjë moment nuk ka pasur rrezik për pasagjerët e aeroplanit dhe as për ekipazhin, transmeton albinfo.ch.
Pas uljes së sigurt, pasagjerët janë vendosur në avionë të tjerë për të realizuar fluturimin për në Zyrih. “Lidhur me shkakun e kundërmimit, janë duke u zhvilluar hetime nga teknikët tanë”, ka thënë zëdhënësi.
Rastet e uljeve të detyruara, shpesh dhe për arsye banale, janë shpeshtuar kohëve të fundit në linjat që lidhen me aeroportet zvicerane. Vetëm dy ditë më parë, një avion u detyrua të kthehej në Zyrih pas dy orësh fluturimi drejt Bostonit, SHBA. Shkaku: WC-të e prishura.