Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, me anë të një komunikimi me qytetarët ka folur rreth koronavirusit duke dhënë disa këshilla të vlefshme. Kujtojmë se pak javë më parë vetë Brataj fitoi betejën me Covid-19, ndërsa sot ka folur për qytetarët për kujdesin që duhet të tregohet në lidhje që të shmangim kontaminimin ndaj këtij virusi. “Ka simptoma shumë të ngjashme me gripin, por është më agresiv, sulmon në një kohë shumë të shkurtër një numër shumë të madh njerëzish.
Nuk është tamam si gripi. Maska që ne përdorim, ato të thjeshtat, nuk të mbrojnë nga infektimi. Nëse unë jam bartës i sëmundjes, duhet të përdor maskën, për të mos infektuar të tjerët. Për t’u mbrojtur 100% nga të infektuarit, personeli shëndetësor përdorin maskat kirurgjikale.
Nëse jemi në lëvizje, nuk je i sëmurë, nuk ka sens përdorimi i maskës. Maska duhet përdorur, kur je i infektuar, kur do të shkosh në një vend ku do të rrish në radhë, mund ta përdorësh. Koronavirusi nuk shkakton arrest kardiak të menjëhershëm. Pra, nëse shihni dikë në rrugë duke u rrëzuar, duhet ta ndihmoni, të afroheni të paktën, ta pyesni, pasi të vini dorezat dhe maskën”, u shpreh kreu i Urgjencës.
Sa i takon moshave, që rrezikojnë më shumë, Brataj tha “Koronavirusi nuk sheh në fytyrë askënd, i prek të gjithë. Infeksionin mund ta marrin të gjithë njësoj, por shfaqja e tij varet nga mosha, sëmundshmëria që mund të ketë secili”.