Policia e Durrësit ka finalizuar në Durrës pas një hetimi katër javor një operacion për goditjen e një grupi kriminal që shfrytëzonte për prostitucion vajza dhe gra që i sillnin nga Kina.
Uniformat blu kanë vënë në pranga shtetasi kinez Guangtai Lin dhe kanë shpallur në kërkim dy organizatorët, Guangcheng Lin dhe Yanxia Zhang.
Nga veprimet hetimore rezulton se treshja në fjalë rekrutonin shtetaset kineze në bashkëpunim me disa shtetas të tjerë në Vietnam, ende të paidentifikuar dhe i dërgonin për kryerjen e prostitucionit në Shqipëri, ku siguronin apartamente dhe makina me qira për kryerjen e këtij aktiviteti.
Po ashtu janë proceduar penalisht 7 shtetase nga Kina që ushtronin prostitucionin.
“Specialistët e Sektorit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, pas një hetimi njëmujor me metoda proaktive, në bashkëpunim me Prokurorinë e Durrësit, për veprat penale “Shfrytëzimi i prostitucionit” dhe “Prostitucioni”, finalizoi operacionin policor të koduar “Storm”, i cili u zhvillua në lagjen nr.13, Plazh, Durrës. Në kuadër të këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit G. L., 50 vjeç, lindur në Kinë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shfrytëzimi i prostitucionit”. Nisi procedimi penal për 7 shtetase nga Kina, për veprën penale “Prostitucioni”. U shpallën në kërkim shtetasi kinez G. L., 47 vjeç, njëri prej organizatorëve të grupit, dhe shtetasja kineze Y. Zh., 45 vjeçe, menaxhere e grupit, për veprën penale “Trafikimi i qenieve njerëzore’”, njofton policia.
Nga hetimet rezultoi se ky grup kriminal përfaqësohej në Shqipëri, nga Guangtai Lin, i cili bënte menaxhimin dhe kontrollin financiar të shtetaseve kineze që ushtronin aktivitetin kriminal në Shqipëri.
Shumat e parave të përfituara nga ky aktivitet kriminal, ai i dërgonte tek Yanxia Zhang, e cila jeton në Bahrein dhe bënte ndarjen e parave të fituara. Rezulton se 25% e fitimit ajo i merrte për vete, 35% i merrte grupi që drejtonte aktivitetin kriminal nga Vietnami dhe 40% i merrnin vajzat e rekrutuara, si pagë, në bankë.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan shuma parash të përfituara nga prostitucioni, 13 celularë, 1 laptop, 1 fletore me shënime për vlerat monetare të përfituara dhe sende të tjera.