Dy persona u ndaluan mbrëmjen e djehsme gjatë aksionit të zhvilluar nga policia në Shkozet të Durrësit.
Mësohet se gjatë aksionit janë arrestuar Aldo Mustafa dhe Arbi Haxhiu.
Të arrestuarit konsiderohen me rrezikshmëri të lartë, ndërsa janë të përfshirë në ngjarje kriminale në vend.
Raportohet se ata gjithashtu janë ndaluar nga policia edhe më parë për armëmbajtje.
Mustafa rezulton i ndaluar edhe më parë nga policia, konkretisht në vitin 2023 kur u kap me armë.
Dyshohet se ai ishte nisur të kryente një vrasje për hakmarrje pasi i ishte vendosur tritol në automjet.
Ai gjithashtu mësohet se është pjesë e grupit të “Rrumit të Shijakut”, ndërsa është arrestuar edhe në tentativë për të kryer një vrasje më 2021.
Mustafa ka qenë i dënuar më parë për veprat penale “Kanosja”, “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, dënuar me 10 vite burg në Gjermani.
Deklarata e Policisë Durrës
Në kuadër të zbatimit të detyrave të lëna nga drejtori i Përgjithshëm për parandalimin dhe goditjen e armëmbajtjes pa leje dhe kapjen e personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore, në vijim të punës së pandërprerë dhe goditjeve të njëpasnjëshme për këtë qëllim, mbrëmjen e djeshme strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës dhe ato të Komisariatit të Policisë Durrës zhvilluan dhe finalizuan me sukses një tjetër operacion policor me rrezikshmëri të lartë, të koduar “The next Gun”.
Gjatë operacionit u kapën dhe u vunë në pranga 2 shtetas, njëri me rrezikshmëri të lartë, konkretisht shtetasit A. M., 39 vjeç, dhe A. M., 23 vjeç, të dy banues në Durrës, të cilëve në momentin e arrestimit iu është gjetur një armë zjarri pistoletë, me fishek në fole gati për qitje.
39-vjeçari A. M., person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, me precedentë të theksuar kriminal në fushën e krimeve kundër personit dhe armëmbajtjes pa leje. Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim policor, i dyshuar si autor i ngjarjes së ndodhur më datë 13.08.2025, në lagjen nr. 14, Durrës, ku është vënë lëndë eksplozive banesës së shtetasit I. Gj.
Angazhimi dhe përkushtimi maksimal i strukturave vendore të Policisë së qarkut Durrës, në bashkëpunim edhe me Drejtorinë Vendore për Kufirin dhe Migracionin, si dhe me mbështetjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ka bërë të mundur që sezoni turistik në qarkun Durrës të vijojë pa asnjë problem për sa i përket rendit dhe sigurisë.
Përfitoj nga rasti t’i garantoj qytetarët e qarkut Durrës se strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës vijojnë me intensitet veprimet hetimore për zbardhjen e çdo ngjarjeje kriminale të ndodhur më parë, kapjen e personave në kërkim dhe për rritjen e parametrave të sigurisë së jetës dhe pronës së qytetarëve.
