Categories Lajme

Papa Françesku sot feston 82 vjetorin e lindjes

Papa Françesku mbush sot 82 vjeç. Është ditëlindja e gjashtë, që feston në Vatikan, që nga koha e zgjedhjes në fronin e Shën Pjetrit. Nga e gjithë bota mbërrijnë vazhdimisht urime, njofton Vatikani.

Kanë kaluar 82 vjet nga ai 17 dhjetor i vitit 1936, kur në Buenos Ajres të Argjentinës, u lind Jorge Mario Bergoglio. Bij emigrantësh piemontezë, kur ishte fëmijë thoshte se kur të rritej, do të bëhej kasap. Ishte i apasionuar pas këngës dhe e kishte zakon të dëgjonte çdo javë në radio një emision me muzikë lirike, së bashku me të ëmën dhe me vëllezërit. I ati i mësoi rëndësinë e punës. Vërtet, Papa i ardhshëm bëri punë të ndryshme dhe u diplomua si teknik kimik.

Thirrja e Zotit

Por horizonti më i rëndësishëm i jetës së tij është, pa dyshim, feja, ushqyer nga gjyshja, Rosa Margherita Vassallo. Në vitin 1958, Jorge Mario Bergoglio hyri në noviciatin e etërve jezuitë. Në atë periudhë, qe e rëndësishme për fenë e tij një infermiere, murgesha Cornelia Caraglio, e cila i shpëtoi jetën, duke e bindur mjekun t’i jepte dozën e duhur me antibiotikë, për të kuruar bronkopolmonitin. Këtë “grua të mirë, të guximshme deri sa të diskutonte edhe me mjekët”, 3 marsin e kaluar, Papa Françesku e falenderoi publikisht, gjatë takimit me një delegacion infermierësh.

Meshtaria

Në vitin 1969, Bergoglio u shugurua meshtar. Atë ditë, gjyshja i dha një letër, që e kishte shkruar për gjithë nipat e vet. I riu Jorge Mario e ruajti në librin e lutjeve. Në të shkruhet: “Të keni një jetë të gjatë të lumtur. Por, nëse ndonjë ditë, dhimbja, sëmundja, ose humbja e njerëzve të dashur do t’ju shkurajojnë, kujtohuni se një psherëtimë para Tabernakullit, ku është martiri më i madh e më mbretëror e, një vështrim drejt Marisë, që rri në këmbët e kryqit, mund të pikojë një sumbull balsami  edhe mbi plagët më të thella e më të dhimbshme”.

Kryeipeshkëv i Buenos Ajres

Në vitin 1973, atë Bergoglio u emërua epror provincial i jezuitëve të Argjentinës. Më 1992, e gjejmë kryeipeshkëv të Buenos Ajresit, primat të Argjentinës. Në Koncistorin e 21 shkurtit 2001, Papa Gjon Pali II e krijoi kardinal. “Sot paradite – pohoi shenjti i ardhshëm Vojtila, në atë rast – Roma ‘katolike’ shtrëngohet rreth kardinajve të rinj, në një përqafim të ngrohtë, me vetëdijen se po shkruhet një faqe tjetër e rëndësishme e historisë së saj dymijëvjeçare”. Ishte preludi i një faqeje tjetër historike: asaj, që në vitin 2003, e shkruajti vetë Papa – i pari, ardhur nga Amerika; i pari, jezuit.

Zgjedhja në fronin e Shën Pjetrit

Pas dorëheqjes së Papës Benedikti XVI, kardinali i atëhershëm erdhi në Romë për Konklavin. Por fati i kishte rezervuar jo vetëm diskutimet për mënyrën e mbarështimit të Kishës nga një papë i ardhshëm. Më 13 mars 2013, ai vetë u zgjodh në fronin e Shën Pjetrit, si “Papë i ardhur nga fundi i botës”. Gjatë vizitës në një famulli romake, më 19 shkurt 2017, një fëmijë e pyeti pse u bë Papë. “Ai që zgjidhet – u përgjigj Bergoglio – nuk është pa tjetër, më inteligjenti”. “Por është ai, që Zoti dëshiron në atë çast për Kishën”. Si Papë, zgjodhi emrin e Françeskut. Pak ditë pas zgjedhjes, në takimin me gazetarët, shpjegoi se e mori atë emër, duke menduar për shën Françeskun e Asizit, “njeri i varfërisë, njeri i paqes, njeri, që e do dhe e ruan gjithësinë e krijuar nga Zoti”. E pikërisht në këto drejtime, përmes gjesteve e shkrimeve si enciklika “Lëvduar qofsh”, përvijohet edhe sot papnia e Françeskut.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lexoni Gjithashtu

Categories Lajme

Shoferi shqiptar humb jetën në aksident me kamion në Itali, la pas dy fëmijë

Një 48-vjeçar shqiptar, prej vitesh emigrant në Itali, ka humbur jetën në një aksident tragjik…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Projekti TID në Durrës, banorët kërkojnë kompensim të drejtë nga shteti për prishjen e shtëpive

Që kur mësoi se shtëpia e tij pranë bulevardit “Epidamn” do të prishej për t’i…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Horoskopi ditor për sot, e Dielë 21 dhjetor 2025

Dashi Do jeni shume te vendosur gjate kësaj dite t’i zgjidhni te gjitha problemet qe…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Tragjedia në Lezhë, nëna i jep fund jetës pas vdekjes së djalit 42 vjeçar

Një dramë e thellë familjare, që duket sikur ka dalë nga skenat e një filmi…

LEXO ME SHUME
Categories Lajme

Arrestohet 35-vjeçarja në Mirditë, qarkullonte me armë në makinë

Policia ka arrestuar një 35-vjeçare në Mirditë, pasi u kap teksa qarkullonte me armë zjarri…

LEXO ME SHUME