Partia e presidentit francez, Emanuel Makron, mbetet kritike ndaj Shqipërisë për numrin e lartë të kërkesave për azil në vend. Sipas zëdhënëses Aurore Bergé, meqenëse vendi konsiderohet i sigurt nga pikëpamja demokratike dhe politike, aplikimet janë të paligjshme.
Franca vijon ta komentojë me shqetësim situatën e azilkërkuesve dhe emigracionin e parregullt nga Shqipëria.
Shifrat e Eurostat tregojnë se kërkesat për azil të shtetasve shqiptarë në Francë arritën në 5,305 në gjashtëmujorin e parë të vitit 2019, duke kryesuar listat kombëtare.
Pak javë nga vendimi i rëndësishëm për hapjen e negociatave me BE-në, Aurore Bergé, zëdhënësja e partisë së presidentit Emanuel Makron, e cilëson këtë trend jokarakteristik dhe të paligjshëm.
“Nëse duam që e drejta për azil të vazhdojë të ketë kuptim, nuk mund të lejojmë që ajo të devijohet, dhe që Franca të kthehet në një vend të parë për azilkërkues nga Shqipëria apo Gjeorgjia, për shembull, pasi është e qartë se këto nuk janë kërkesa karakteristike dhe legjitime për azil.”
Deputetja Aurore Bergé informoi se tema për emigracionin do të debatohet në parlamentin francez në datat 30 shtator dhe 2 tetor.
Deklarata e saj pasoi atë të kryeshtetarit Makron një ditë më parë, kur para deputetëve të mazhorancës, aleatëve dhe senatorëve tha se çështja e emigracionit duhet trajtuar me guxim dhe duhet parë interesi i përgjithshëm.
Shqipëria konsiderohet ligjërisht një vend i sigurt nga shtetet europiane, ndaj shumë kërkesa për azil apo emigracion të parregullt refuzohen vazhdimisht.
Nga ana tjetër, edhe Holanda, një tjetër vend skeptik për hapjen e negociatave mes Shqipërisë dhe BE-së në muajin tetor, javën e kaluar ngriti një shqetësim të ngjashëm te Komisioni Europian.
Dy eurodeputetët Malik Azmani dhe Karolin Nagtegal apeluan qeverinë shqiptare të bëjë më shumë me fushatat sensibilizuese në televizione apo shtypin e shkruar kundër emigracionit të paligjshëm.