“Dështimi më i madh i qeverisë”. Kështu e cilëson Partia Demokratike mësimin online gjatë periudhës së pandemisë për mijëra nxënës në gjithë vendin. Ish-deputeti i PD, Luciano Boci shkruan se braktisja e nxënësve në mësimin kaotik apo të paarritshëm online është një nga dëmet më të mëdha të shkaktuara tek nxënësit.
Sipas tij, qeveria nuk investoi asnjë qindarkë për të mos lënë pa mësim me mijëra nxënës që nuk kanë një pajisje apo nuk kanë mundësi për të blerë internet.
“Me mbi 50 milionë euro të çuara për beton dhe projekte të tjera korruptive, Edi Rama do të kishte siguruar në pak kohë një arsim online normal dhe të arritshëm nga të gjithë”, shkruan Boci.
POSTIMI I PLOTË
Qeveria e mbylli vitin shkollor dy javë para datës zyrtare të tij me një dështim gjigand me mësimin online dhe një dëm serioz për qindra mijëra fëmijë.
Asnjë qindarkë e shpenzuar nga qeveria e Edi Ramës për të mos lënë pa mësim me mijëra nxënës që nuk kanë një pajisje apo nuk kanë mundësi për të blerë internet. Asnjë ndihmë për shpenzimet plus të prindërve dhe mësuesve në përdorimin e internetit. Mësimi përmes televizionit publik ishte krejt i pamjaftueshëm, njësoj se paketat gjysmake të ndihmës ekonomike. Braktisja e nxënësve në mësimin kaotik apo të paarritshëm online është një nga dëmet më të mëdha të shkaktuara tek nxënësit.
Mësimi online mbeti kaotik, nuk arriti tek një pjesë shumë e madhe e nxënësve dhe rezulton jo efikas.
Kjo sepse Rama gjatë kësaj periudhe dha ZERO lekë për fëmijët tanë dhe arsimimin e tyre online, duke tregtuar të ardhmen e tyre me pasurimin e një grushti njerëzish me të cilët ndan paratë e shqiptarëve.
560 mijë nxënësit, prindërit e tyre dhe mësuesit kanë paguar taksën e korrupsionit të qeverisë së Edi Ramës. Mes arsimit, betonit dhe kontratave sekrete, kryeministri nuk zgjodhi arsimin, por pagoi dhe vazhdon të paguajë për klientët e vet miliona euro, të cilat do të kishin bërë të mundur pajisjen me tableta dhe internet falas të çdo nxënësi dhe mësuesi në sistemin parauniversitar.
Me mbi 50 milionë euro të çuara për beton dhe projekte të tjera korruptive, Edi Rama do të kishte siguruar në pak kohë një arsim online normal dhe të arritshëm nga të gjithë:
1. Çdo shkollë do të kishte platformën e personalizuar online.
2. Çdo mësues do të kishte gjithçka që i duhej për mësimin online.
3. Çdo nxënës do të mund të arrinte të merrte dijen e domosdoshme. Vendi do të merrte investimin për të ardhmen.
Me vetëm 650 mijë eurot e dhëna dje për inceneratorin e Tiranës, mund të mbuloheshin me internet falas 120 mijë familjet në ndihmë ose të përjashtuar nga ndihma (me një kosto 5 € në muaj) plus 10 mijë të tjerë, të goditur nga situata e papunësisë së re. Janë të paktën 120 mijë familje që jetojnë nën minimumin jetik, të cilat nuk kanë as bukën e gojës dhe jo më internet dhe pajisje smart. Ministria e Arsimit në sondazhin e saj, pasqyroi faktin tronditës që 42% e prindërve të nxënësve janë të papunë, duke rritur ndjeshëm pamundësinë për të zhvilluar mësim online.
Vetë Edi Rama, nga ana tjetër, ka pranuar se aksesi në internet është vetëm 68% në të gjithë territorin.
Po t’i shtosh këtu pamundësinë ekonomike të familjeve të cituara më lart, përqindja rrëzohet në shifra akoma më mjerane. Rama nuk siguroi as internet falas, as pajisje smart falas për nxënësit e mësuesit, siç bënë shumë vende dhe i braktisi ata dhe familjet e tyre në mes të mëshirës së coronavirusit. Edi Rama e fshiu arsimin nga axhenda e tij. I braktisi nxënësit, prindërit dhe mësuesit duke mos shpenzuar asnjë qindarkë për dijen. Asnjë ekzagjerim: Edi Rama është sot armiku më i madh i arsimit.