Fotoja e mëposhtme ishte e vetmja e dhënë për grabitësin e një dyqani në rrugën “Myslim Shyri” në Tiranë, ndodhur më 9 Shkurt.

Pas rreth dy muajsh, Policia ka bërë të mundur identifikimin e personit të maskuar, përmes pamjeve filmike. Bëhet fjalë për 43 vjeçarin Afrim Dulaj i cili është vënë në pranga nga blutë. Ai dyshohet si autor edhe i një vjedhjeje të kryer te një argjendari në Rrugën e Dibrës pak ditë më parë.
Në video, ai shihet duke kërcënuar me një armë pistoletë punonjësin e dyqanit e më pas duke marrë disa aparate celularë. Ndërsa grabitja tjetër në argjendari ngjan si skenë filmash. Kamerat kanë kapur një sharrë dhe një shkop që kap disa bizhuteri.
Zbardhen dhe dokumentohen me prova ligjore, vjedhja në kërcënimin e armës, në një dyqan celularësh, e ndodhur në muajin shkurt, si dhe vjedhja në një argjendari në Rrugën e Dibrës. Vihet në pranga një 43-vjeçar, si autor i dyshuar. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, në vijim të punës intensive për zbardhjen e dy vjedhjeve të ndodhura në zonat respektive, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Golden hummer”, për kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore, të autorit të dyshuar. Si rezultat i këtij operacioni u ndalua shtetasi A. D. (F)., 43 vjeç, banues në Tiranë. Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se ky shtetas, më datë 09.02.2024, dyshohet se në kërcënimin e një arme zjarri pistoletë, ka vjedhur disa aparate celulare, në një dyqan në rrugën “Myslym Shyri”, dhe më datë 14.03.2024, ka vjedhur disa aksesorë floriri në argjendarinë e shtetasit E. K., në Rrugën e Dibrës.