“Le të provojnë të kacafyten me një qiramarrës”, deklaroi në fillim të prillit kryeministri, gjatë masave të ndërmarra kur edhe u urdhërua mospagimi i qirave për familjet në nevojë , studentët dhe bizneset e prekura. Ky ultimatum duhet të ishte në fuqi për dy muaj e ardhshëm dhe në rast të kundërt qeradhënësit do të penalizoheshin. Por nga një vëzhgim, ndonëse akti normativ është në fuqi, qeradhënësit dhe qeramarrësit kanë folur me gjuhën e detyrimit që duhet paguar për të shmangur mosmarrëveshjet. Madje një rast konflikti për qiranë është agravuar aq sa gruaja që jetonte me qira dhe që nuk kishte mundësi të paguante, është përleshur me të zonjën e shtëpisë dhe për këtë shkak ka përfunduar në polici.
Policia u angazhua pas denoncimit të 23-vjeçares E.D. që jeton me qira në një shtëpi private sëbashku me shoqet e saj, të cilat mbetën pa punë nga pandemia. E proceduara në gjendje të lirë nga komisariati numër 3 është shtetasja L.H. 47 vjeç, pronare e një banese private në rrugën “Besnik Ceka”, në Laprakë.
Gruaja pretendoi para policisë se pas sherrit për qiranë, e zonja e shtëpisë i ka futur duart në fyt.
“Ajo më kë.rcënoi se do më nxirrte jashtë dhe pastaj më shtrëngoi duart në fyt”, pohon 23-vjeçarja. Më tej e reja ilustron se çfarë ndodhi në vilën ku ajo jeton, ndërkohë që shpresonte të mos paguante detyrimin pasi kishte ndjekur e dëgjuar edhe penalitetet që rëndonin mbi pronarët në rast se ata shtrëngojnë qiramarrësit. Në të vërtetë e reja tregon korrektesën në marrëdhënien me pronarët e shtëpisë dhe problemet që hasi pasi dy shoqet e saj mbetën pa punë nga Covid-19.
23-vjeçarja i tregoi policisë në procesverbalin që disponon gazeta, se jetojnë në këtë shtëpi prej gjashtë muajsh, në një apartament 1 plus një në katin e dytë. “E kam paguar rregullisht qiranë dhe për këtë kohë e kisha paguar nga pesë prilli deri në pesë maj 2020.
Por dy shoqet e mia N. dhe O. gjatë prillit mbetën pa punë për shkak të Covid-19 dhe për shkak të karantinimit ato nuk mundën ta paguajnë pjesën e tyre të qirasë. Ato nuk punonin dot pasi ishin të mbyllura në shtëpi.
Atë ditë në shtëpi erdhi mamaja e zonjës së shtëpisë, e cila na njoftoi se ditën e nesërme duhet të dilnim nga banesa, pasi nuk kishim paguar dritat dhe qiranë”, shprehet e reja. Vetë kallzuesja e kishte paguar këstin e saj të qirasë dhe për këtë ka shtuar “unë nuk kam pse të dal se e kam bërë pagesën”.
Gjendja është rënduar pasi të dyja palët kanë fyer njëra-tjetrën, edhe pse e reja shton se i ka thënë të moshuarës se “qiranë e kishte paguar dhe se nuk dilte nga shtëpia”.
Në këtë moment, siç tregon 23-vjeçarja E.D., duke parë që kanë vijuar këcënimet për të dalë nga shtëpia, ajo ka telefonuar policinë dhe ka kërkuar ndihmë.
“Policia mbërriti në shtëpi dhe foli edhe me të moshuarën edhe me të afërmit e saj dhe ramë dakord që unë të qëndroja deri në datën pesë maj, datë në të cilën kisha paguar qiranë”, vazhdon më tej e reja që, siç kuptohet qartë, as që ka përfituar nga sanksionet që kryeministri paralajmëroi publikisht për qiradhënësit. Pas ikjes së policisë, vajza është përballur me inatin e shtetases L.H.
“Ajo erdhi në katin ku unë jetoj dhe kërkoi që të bënim kontratë për qiranë. Shtova se ajo nuk kishte punë me mua, pasi unë këstin prej 7800 lekësh të reja e kisha paguar dhe kjo pagesë kishte vlerë deri më 5 maj. I thashë që biseda ishte kryer me vajzat e tjera dhe jo me mua. Papritur Luljeta u hodh dhe më kapi nga fyti dhe kërkonte që të firmosja me zor letrën që kishte ajo. Në këtë moment erdhi djali i saj, i tregova të birit se e ëma nuk veproi mirë dhe se do ta ndiqja këtë problem. Pasi mbylla këtë bisedë dola nga shtëpia dhe u paraqita në polici”, shprehet e reja.
Bëhet me dije se ndonëse kryeministri deklaroi që do të kishte gjoba, (edhe pse ky rast madje është kthyer tashmë edhe në ndjekje penale), ndaj qiradhënësit nuk është vendosur asnjë gjobë.
Në një lagje tjetër të Tiranës, në banesat private mbi Qytetin Studenti, Ana që është studente, jeton në katin e parë dhe shprehet në anonimitet se në asnjë çast nuk e ka çuar ndër mend mos ta paguajë qiranë. “Çdo datë 18 paguaj shumën prej 15 mijë lekësh dhe kështu veprova në datën 18 prill deri në datën 18 maj. Pronarët e shtëpisë zbritën nga kati i dytë dhe më thërritën. Sigurisht që i pagova dhe as që më shkoi në mend të denoncoja apo të njoftoja autoritetet. Më ngjan që këto masa janë për një Shqipëri virtuale dhe jo për realitetin e qytetarëve, pasi në rast refuzimi nga ana ime, do të më prishej qetësia dhe pronarët do të gjenin sa më shpejt mundësinë të më nxirrnin nga shtëpia”, thotë studentja.
Edhe Sofia që ka një dyqan rrobash pranë Tiranës dhe që e ka marrë ambjentin me qira me kontratë, tregon se “detyrimin prej 100 mijë lekë të reja i depozitoi madje në bankë pa hapur asnjë negociatë me pronarët dhe pa bërë asnjë diskutim me ta, megjithëse gjatë kësaj kohe nuk ka pasur asnjë lek xhiro.”/ Gazeta “Si”