Nga: Payaj Parekh “The Guardian”
Këtë javë, politikanët dhe biznesmenët kryesorë të botës ishin në Forumin Ekonomik Botëror të Davosit, dhe folën për krizën klimatike. Greta Tunberg dhe Princi Çarls i kurorës britanike, mbajtën fjalime tepër kritike, duke paralajmëruar rreziqet që vijnë nga një botë që po ngrohet me shpejtësi, ndërsa shumë drejtues kompanish të mëdha dhe president, kanë premtuar marrjen e masave konkrete.
Përkundrazi, le të jemi realistë se sa korporata të mëdha, mund të planifikojnë një të ardhme pa karbon, duke pasur parasysh faktin se vetëm 100 kompani kanë qenë burim i më shumë se 70 për qind të emetimeve të gazrave serë në botë që nga viti 1988. Vetëm 20 kompani kanë emetuar 480 miliardë ton dioksid karboni që nga viti 1965, ose një të tretën e të gjitha emetimeve. Shumica e tyre – përfshirë 2 ndotësit më të mëdhenj në Tokë – renditen si “bashkëpunëtorë” në faqen e internetit të Forumit Ekonomik Botëror. Dhe nuk janë vetëm kompanitë e mëdha. Institucionet financiare që marrin pjesë në forum, janë përgjegjëse për të paktën 1.4 trilionë dollarë investime në nxjerrjen dhe përpunimin e karburantit fosil, që nga nënshkrimi i Marrëveshjes mbi Klimën në Paris.
Dhe pastaj janë qeveritë. Fjalimi i Princit Çarls, përbënte një sfidë të fortë për ata që janë në pushtet. Ai pyeti: “A duam të mbetemi ne në histori, si njerëzit që nuk bënë asgjë, për ta nxjerrë botën nga pragu i humnerës?”. Por po këtë javë, u zbulua se qeveria britanike po mbështet disa projekte të mëdha të karburantit fosil në të gjithë botën. Një dështimi i tillë përballë krizës së klimës, nuk është nënprodukt i sistemit ekonomik që mbron forumi, ai është prodhuar nga modeli i tij. Angazhimi ideologjik ndaj tregjeve të lira, ka qenë një bllok i qëndrueshëm kundër përparimit në zgjdhjes e krizës klimatike. Mjafton të shihni të dhënat e emetimeve të gazrave serrë në botë. Dhe të dhënat mbi klimën nuk janë siç thotë Tunberg “mendimet ose pikëpamjet politike të cilitdo”. Ato janë thjesht fakte. Ndërsa Australia po digjet, dhe popujt në të gjithë botën janë të kërcënuar nga pasojat reale të krizës klimatike, takimet e stilit të Davosit, nuk do të na japin kurrë përgjigjet që na duhen. Në fakt, do të ishte marrëzi për cilindo që të presë që një klub privat të zgjidhë një problem që e ka krijuar vetë. Një krizë e kësaj shkalle ka nevojë për zgjidhje të shkallëzuara dhe të drejta, pavarësisht nëse kjo është një Marrëveshje e re e Gjelbër, heqje dorë nga karburantet fosile, apo ecje me shpejtësi përpara drejt objektivave të de-karbonizimit në vendet më të pasura. Nëse të pasurit dhe të famshmit në Davos, duan realisht të merren me krizën e klimës, vendi i fundit ku duhet ta bëjnë këtë është Forumi Ekonomik Botëror.
