Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj ka sqaruar ditën e sotme punësimin e dy gazetareve, Bieta Sulo dhe Mira Kazhanit pranë UKT-së. Në një status në profilin e tij në Facebook, Veliaj ka publikuar një foto ku ai vetë shihet i kryqëzuar, referuar komenteve që janë bërë në media dhe shprehet se e gjitha është një keqkuptim dhe kërkon ndjesë për gjithçka. Sipas kryebashkiakut, Bieta Sulo ka punuar vetëm për pesë muaj dhe më pas është shkëputur për t’u marrë me emisionin e saj, ndërsa Mira Kazhani është punësuar për një mandat si këshilltare mediash, pranë UKT-së. Kryebashkiaku sqaron se gjithçka është bërë sipas rregullave, teksa shton se herë tjetër nuk do të përsëritet më mungesa e sqarimeve të dhëna në kohën e duhur për angazhimin e dy njerëzve të jashtëm në funksion të nevojave të caktuara.
Statusi i plotë \Tre ditët e fundit kam vërejtur me keqardhje shumë sharje dhe akuza në adresën tonë, për shkak të dy zonjave që punojnë në fushën e komunikimit publik, Bieta Sulos dhe Mira Kazhanit, të cilat për një kohë janë kontraktuar si eksperte të jashtme për strategjinë e komunikimit, nga kompania e UK Tiranë.
Bieta Sulo ka kontribuar në UKT nga data 6 prill 2018 deri në datën 20 shtator 2018; pra, gjithsej 5 muaj, gjatë një periudhe kur ende nuk kishte nisur projektin e saj të ri me emisionin e pasdites e të kish suksesin për të cilin anatemohet sot. Pas përfundimit të marrëveshjes kontraktuale për komunikimin publik të kompanisë, ajo nuk ka më asnjë marrëdhënie me UKT-në.
Ndërsa, Mira Kazhani ka shërbyer si këshilltare mediash pranë UKT-së për një mandat, një praktikë që është ndjekur prej vitesh nga ndërmarrjet sh.a në Shqipëri – e ku disa prej atyre që sot u hidhen në fyt nga ekranet dhe portalet e tyre, i kanë pasur vetë këto pozicione. Për këta të fundit nuk do humbisja asnjë sekondë, por ia detyroj këtë shpjegim atyre që janë helmuar nga kjo histori mediatike, që ka marrë dhenë edhe në rrjetet sociale. U kërkoj ndjesë për shqetësimin, edhe pse në asnjë sekondë nuk kam dhe nuk kemi menduar asgjë tjetër, përveçse si të bëjmë sa më mirë punën! Kjo vlen si një mësim për UKT e për vetë Bashkinë, që të mos gjendet herë tjetër as nën presionin e kujtdo mëkatari që hedh gurë në emër të shenjtërisë, po as në pozitën e sikletshme të nevojës për të dhënë shpjegime pas “aksidentit”. Mungesa e sqarimeve të dhëna në kohën e duhur për angazhimin e dy njerëzve të jashtëm në funksion të nevojave të caktuara, nuk duhet dhe nuk do të përsëritet më. Nga ana tjetër, edhe procesi i marrjes në punë të ekspertëve të jashtëm, siç bëjnë të tëra kompanitë e institucionet e botës për nevoja të caktuara, do të vazhdojë, por duhet e do të jetë edhe më transparent për publikun. Ndjesë edhe njëherë, të gjithë atyre që janë ndikuar negativisht nga kjo histori, por jo ndikuesve të paskrupullt, të cilët thjesht kanë hyrë në një borxh më shumë me publikun e me të vërtetën! Ju uroj një fundjavë të qetë plot mirësi.