Një punëtor 19 vjeçar ka ndërruar jetë pasditen e djeshme në Portin e Durrësit, pasi është tërhequr zvarrë nga vinçi në sektorin e ngarkim-shkarkimit. Sot, Policia e qytetit bregdetar bën me dije se ka arrestuar tre kolegë të të riut.
Arrestimi i këtyre shtetasve u bë sepse, për shkak të moszbatimit të rregullave të mbrojtjes në punë, ditën e djeshme, në vendin e quajtur “Sheshi i Kontenierëve” në portin e Durrësit, punonjësi i kësaj firme, shtetasi R. B. është aksidentuar me pasojë vdekjen, nga një mjet pune i kësaj firme, që po drejtohej nga shtetasi N. V.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme. U arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, shtetasit:
- R. B., 27 vjeç, me funksion përgjegjës turni, në firmën përpunimit të kontenierëve në portin e Durrësit.
- N. V., 64 vjeç, me funksion manovrator i makinerisë.
- B. T., 42 vjeç, me funksion kryemekanik i ofiçinës.
