Categories Politike

Putin do të vizitojë Beogradin, akuzon SHBA se po destabilizon Ballkanin

Presidenti rus, Vladimir Putin pretendon se Shtetet e Bashkuara po destabilizojnë Ballkanin duke “shpallur rolin e tyre dominues” në rajon, pretendim ky i publikuar gjatë një interviste për mediet serbe.

Putin ka folur për gazetat serbe “Vecernje Novosti” dhe “Politika”, në intervista që u publikuan qysh të martën, përpara vizitës së tij të pritshme të kësaj jave në Beograd. Komente këto që u pasqyruan edhe nga faqja zyrtare e Kremlinit.

Deklaratat e tij nënvizojnë edhe njëherë marrëdhëniet historikisht të ngushta me Serbinë, sikurse edhe kujdesin e Moskës për ndikimin e Perëndimit. Ato bien ndesh gjithashtu me paralajmërimet e lëshuara nga Uashingtoni apo aleatë të tjerë europiano-perëndimorë, lidhur me faktin se Rusia po përpiqet të destabilizojë rajonin me ndërhyrjet në Malin e Zi, Bosnje-Hercegovinë dhe Maqedoni.

Në intervistat e tij, Putin ka rikujtuar fushatën e bombardimeve të NATO-s të vitit 1999 mbi Serbi, gjatë luftës së Kosovës, sikurse edhe deklaratën e pavarësisë së Kosovës nga Serbia në vitin 2008, deklaratë që u dënua nga Serbia dhe Rusia, por u mbështet nga shumica e vendeve perëndimore.

“Për sa kohë që situata në Ballkan është shqetësuese, politika e Shteteve të Bashkuara dhe disa kombeve perëndimore, që synojnë të shpallin rolin e tyre dominues, mbetet një faktor serioz destabilizimi këtu”, citohet të ketë thënë Putin. Ai vlerësoi gjithashtu se Mali i Zi “ishte tërhequr zvarrë drejt anëtarësimit në NATO”. “Si pasojë, vendi po kalon tashmë një periudhë destabiliteti politik”, është shprehur më tej shefi i Kremlinit.

Megjithatë, Mali i Zi, së bashku me Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera, ka akuzuar Rusinë si mbështetëse të një përpjekje për grusht shteti në vitin 2016, teksa vendi ecte drejt anëtarësimit në NATO. Parlamenti malazez votoi unanimisht në prill të 2017-s për t’iu bashkuar aleancës.

“Ne e kemi thënë vazhdimisht se, gjithmonë e kemi parë politikën e zgjerimit të NATO-s si reminishencë të Luftës së Ftohtë dhe një strategji të gabuar dhe destruktive ushtarake dhe politike”, citohet më tej të ketë thënë Putin, shkruan TCH.

Vizita e Putinit në Serbi do të mbikëqyret me shumë vëmendje nga Perëndimi, për të gjetur gjurmë të atyre që konsiderohen si synime të Moskës në ish-Jugosllavi.

Veç Malit të Zi, Moska pretendohet se ka kërkuar të ndikojë në opinionin publik në Maqedoni, edhe ky një vend që sapo ka miratuar pjesën e saj të marrëveshjes historike me Greqinë, që do t’i hapte rrugë anëtarësimit në NATO apo edhe Bashkimin Europian.

Sipas analistëve, pika më kulmore e vizitës njëditore të Putinit në Serbi do të jetë ndalesa e tij në tempullin më të madh të Krishtërimit Ortodoks në Ballkan, Shën Sava në Beograd.

Putin dhe homologu i tij serb, Aleksandar Vuçiç pritet të flasin përpara mijëra njerëzve jashtë Shën Savës, “në një shfaqje simbolike të lidhjeve vëllazërore”, siç thonë organizatorët e ngjarjes. Vizita e Putinit në Beograd do të nisë nga e enjtja e 17 janarit.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Lexoni Gjithashtu

Categories Lajme Politike

Asambleja e Shpresës: Kur “Sfidat” zgjidhen me dolli, ndërsa domatja bëhet “Luks”

VLORË – Ndërsa te tregu i fruta-perimeve qytetarët numërojnë qindarkat për të blerë dy banane,…

LEXO ME SHUME
Categories Politike

“Tirana ka vajza të jashtëzakonshme”/ Cilësohej si kontakt i Epstein, KiE i heq imunitetin ish-Sekretarit të Përgjithshëm

Këshilli i Evropës i ka hequr imunitetin ish-Sekretarit të Përgjithshëm, Thorbjørn Jagland, pas një kërkese…

LEXO ME SHUME
Categories Politike

Protesta e PD, Rama nxjerr foton e molotovëve: Bomba artizanale, drejtësia të veprojë

Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me protestën e mbajtur një natë më parë nga…

LEXO ME SHUME
Categories Politike

Partia Demokratike Vlorë thirrje qytetarëve për protestën e 10 shkurtit

Partia Demokratike e Vlorës u ka bërë thirrje qytetarëve të marrin pjesë në protestën e…

LEXO ME SHUME
Categories Politike

Pse Rama nuk e pranoi dorëheqjen e Ballukut

Belinda Balluku sot në mëngjes i ka ofruar dorëheqjen Kryeministrit. Edi Rama nuk ka dashur…

LEXO ME SHUME