Këtë të martë i penduar i drejtësisë, Nuredin Dumani, ka treguar episode të ngjarjeve të ndryshme kriminale të kryera në Shqipëri, pjesë e të cilave ka qenë edhe vetë ai.
Ai ka hedhur dritë mbi vrasjen e Ervis Dedjas në vitin 2012, që sipas tij është vrarë nga Festim Qoli, i cili ishte shok me të.
Po ashtu, Dumani tha se vrasjen e nënës së Ervis Dedjas e ka porositur Festim Qoli, pasi sipas tij ajo kishte nisur përpjekjet për zbardhjen e krimit të të birit.
Ai tregon se Qoli u kishte ofruar atij dhe Talo Çelës 40 mijë euro për ekzekutimin e saj. Sipas Dumanit, fillimisht plani i tyre ka qenë që ta vrisnin teksa shkonte në varreza tek djali i ndjerë, plan të cilin nuk e realizuan dot.
Por, plani për kryerjen e porosisë ishte i qartë, thjesht ata po kërkonin një vend tjetër dhe jo te varrezat. I penduari i drejtësisë thotë se Talo Çela e ka goditur nënën e Dedjas, disa herë me thikë, duke e lënë të vdekur në vend.
“Ervis Dedja ishte mik i familjes së Festim Qolit. Kishin shumë biznese bashkë, jemi takuar në një kafe rastësisht. Në 2012 Dedja u vra. Pas vrasjes mora vesh që e kishte vrare Festim Qoli, shoku i vet. Festim Qoli vendosi të vriste edhe nënën e Ervis Dedjas. Qoli kërkoi ta vriste sepse nëna e Dedjes po vinte vërdallë neper gjykata dhe prokurori për të zbardhur vrasjen e djalit të saj. Qoli më kërkoi ta vrisja. Fola me Talo Çelen dhe me personin me pseudonimin Qimja, dhe Qoli na ofroi 40 mijë euro.
Unë i thashë Talos qe ta bënim për 30 mijë, madje Talo me tha që ta bëjmë edhe pa lekë, sepse Qoli mund të na ofronte punë të tjera. Vendosëm në fillim ta vrisnim kur shkonte në varreze tek çuni që i kishte vdekur, por unë nuk e bëja dot vrasjen aty, se si me vinte. Me pas morëm vendimin ta bënim tek shtëpia e saj ne një pallat ne bodrum. Shkuam me një makine të kuqe, u afruam te pallati ku nuk kishte kamera. Unë isha shofer, Talo pasagjer. Hymë te garazhi, zbriti Talo direkt, kishim thikë dhe pistoletë. E qëlluam me thikë qe mos dukej si vrasje me pagesë, por si grabitje. I morëm dhe çantën. Talo e goditi disa herë me thike derisa ra në tokë”, tha ai.