Kryeministri Edi Rama theksoi sot se “banesat dhe pallatet e parikuperueshme në qarkun e Lezhës do ti pastrojmë të gjitha dhe nëse ka një terren për të bërë një lagje të re do ishte mirë, por mund edhe ti rikuperojmë aty ku janë”.
Gjatë vizitës në Qendrën Operacionale të Emergjencave Lezhë, Kryeministri Rama theksoi se “pallatet që janë të rikuperueshme do ti rindërtojmë me standarde, po punojnë me planin për të parë çfarë do të bëhet”-, tha Rama. “Kurrë s’ka pasur dhe kurrë mos pastë më një katastrofë si kjo, po kurrë ama s’kemi qenë më shpejt e më mirë të organizuar në terrenin e sfidës kolosale që kemi (pavarësisht mishmashit të neveritshëm mediatik)”, tha Rama. Ndërsa ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, tha se “janë 57 pallate që do të verifikohen nga 11 grupe të inspektorëve që i kemi organizuar vetë në terren për dëmet e shkaktuar nga tërmeti në qarkun e Lezhës, nga të cilat 41 pallate në Kurbin, 15 në Lezhë, 1 në Mirditë, 213 banesa , nga të cilat 135 në Kurbin, 44 në Lezhë, dhe 34 në Mirditë”.
Përsa i përket akomodimit të banorëve të prekur që u janë dëmtuar shtëpitë, ministri Lleshaj theksoi se “787 banorë të Kurbinit janë akomoduar në hotele, 400 persona nga zonat rurale janë të vendosur në çadra, nga Lezha 158 persona janë akomoduar në hotele dhe 8 në çadra, nga Mirdita 40 të akomoduar në konvikt dhe 30 në çadra dhe nga Thumana 360 janë akomoduar në hotele. Kryeministri Edi Rama më pas shkoi për të inspektuar zonat e prekura nga tërmeti në qarkun e Lezhës, ku do t takohet edhe me banorët./k.s/ /a.g/atsh
