Edi Rama, Kryeministri i Shqipërisë ka folur në një intervistë për BILD për akuzat dhe se si vendi ynë po lufton koronavirusin. Pyetur lidhur me fajësimin e menaxhimit të situatës së pandemisë dhe qëndrimit të Gjermanisë për të infektuarit, Rama u përgjigj se Shqipëria nuk ndikon dot me numrat e të infektuarve në një vend si Gjermania.
Rama: Unë nuk mendoj se shtetet e Ballkanit paraqesin kërcënim për Gjermaninë apo ndonjë tjetër në Bashkimin Evropian dhe tekefundit shifrat flasin vetë. Kjo s’ka të bëjë me numrat e lartë apo me numrat që për këdo janë një kërcënim. Kur mendoj se Kina ka pesë raste sot dhe Shqipëria ka 100, atëherë kjo s’më duket se shkon. Dua të them që ka shumë lojëra me numrat.
Ne kemi vendosur të jemi jashtëzakonisht transparentë në këtë drejtim. Sigurisht, pas hapjes, u përballëm me një sfidë që ishte më e madhe, sepse ka të bëjë edhe me sjelljen e të gjithë qytetarëve. Është e pamundur për ne, për sa u përket numrave, që të ishim në gjendje të ndikonim tek një vend i madh si Gjermania apo si rajon, të ndikonim në vende të mëdha si Franca apo vende të tjera në Evropë. Le te themi që kjo është më tepër politikë sesa realitet.
Ndërsa lidhur me ndalim hyrjen për qytetarët nga Ballkani në Gjermani, Rama tha se kjo është një lloj ndarjeje BE dhe Jo-Be, si dhe një kujdes të arsyesh nga Gjermania.
Rama: Sepse ka BE dhe jo-BE. Pra, është shumë e thjeshtë. Ne kemi një ndarje, që në terma praktikë vendoset nga ana e BE-së ndaj jo-BE-së. Sidoqoftë, përtej numrave, ka sigurisht edhe arsye të mira për këtë dhe ka një kujdes të arsyeshëm në Gjermani dhe në vendet e tjera. Jo rastësisht, Gjermania është më mirë se të gjithë, pasi e trajton Covid me një qasje mjeshtërore.
