Qendra historike e Vlorës ka marrë shkëlqimin multidimensional të një pike referimi historiko-kulturor dhe me impakt në zhvillimin ekonomik dhe turistik të qytetit bregdetar. Kryeministri Edi Rama ka publikuar mbrëmjen e sotme foto nga transformimi I këtij investimi në Vlorë.
“S’është 3D jo. Është zemra e VLORËS”, shprehet Rama duke publikuar foto nga Qendra historike e qytetit bregdetar, një zonë e cila ruan ende gjurmë të ndërtimeve të fundit të shekullit të 19‐të dhe fillimit të shekullit të 20‐të. Brenda kufijve të zonës ku dhe është investuar, ndodhen disa monumente kulture të kategorisë së parë si edhe rruga më e rëndësishme e qytetit për nga vlerat arkitektonike‐historike që mbart: rruga “Justin Godard”.
Investimet e realizuara nga qeveria përfshinë restaurimin e 68 banesave, mes të cilave, Shtëpinë e Marigosë, Xhaminë e Tabakëve, Rrugën e Hebrenjve, Sheshin e Sahatit dhe Shtëpinë e Qeverisë. Në zonën qendrore të Vlorës, me një sërë objektesh të trashëgimisë kulturore, e shndërrojnë këtë qytet jo vetëm në perlë të bukurisë turistike, por edhe të historisë dhe kulturës.