Kryeministri Rama ka reaguar sërish këtë të mërkurë në lidhje me Teatrin Kombëtar, duke deklaruar se asnjë cm katror i truallit ekzistues të Teatrit nuk do të preket nga asnjë firmë private, pasi në këtë trual do të ngrihet një godinë e re. Më tutje kryeministri poston një video, ku disa pamje tregojnë kioskat që ndodhen në truallin afër Teatrit si dhe disa foto të vetë Teatrit.
Statusi i Ramës:
Eshtë folur e stërfolur, shpifur e stërshpifur, akuzuar e stërakuzuar, për truallin e teatrit që do “kafshohet” nga privati! Në fakt ASNJE CM2 e truallit të teatrit nuk do të preket nga asnjë privat dhe mbi të do të ndërtohet VETËM TEATRI I RI KOMBËTAR! Ndërsa po, është e vërtetë që matanë murit rrethues të teatrit ekzistues, ka një truall në pronë të bashkisë që do t’i jepet privatit, NË KËMBIM TË TEATRIT TË RI që privati do të ndërtojë me kapitalin e tij, pa asnjë qindarkë nga buxheti i shtetit! Dhe trualli në fjalë është ky që do të shikoni në këtë video.
Shikojeni dhe më thoni:
A është ky truall një vlerë arkeologjike, historike, kombëtare apo kulturore, që po e humbet Shqipëria me këtë partneritet Publik-Privat për Teatrin e Ri Kombëtar? Dhe nëse jo, a nuk i’a vlen që në këmbim të këtij trualli, i cili do t’i bashkëngjitet pronave private përreth, Shqipëria të përfitojë një Teatër të Ri Kombëtar të denjë për Shqipërinë që duam?
