Në një kohë kur studentët protestojnë, Fakulteti Shkencave Sociale, degë e Universitetit të Tiranës, e ka menduar që me paratë e studentëve të prokurojë edhe një Aktivitet (Party) ku duhet të serviret shampanjë ekskluzivisht për stafin akademik ndërsa pije energjike dhe kokteile për studentët
Në prag të festave të fundvitit, kur studentët gjenden në rrugë duke protestuar për tarifat e larta që paguajnë për arsim dhe konvikte, universitetet dhe drejtuesit e tyre e kanë mendjen tek kartolinat dhe përzgjedhja e shampanjës për festat e stafit akademik.
Në një vëzhgim të Portalit të Prokurimeve Publike, të bërë nga Report Tv rezulton se Universiteti i Vlorës “Ismail Qemali”, dhe ai i Korçës, “Fan S.Noli”, kryesojnë tenderimet për kartolinat e urimit për festat e fundvitit, para, që dalin nga fondet e universitetit.
Fakulteti i Shkencave Sociale, degë e Universitetit të Tiranës, ka menduar që me paratë e studentëve të prokurojë edhe një Aktivitet (Party) për studentet e Fakultetit të Shkencave Sociale me rastin e Ceremonisë së Diplomimit dhe festave të fundvitit.
Në dokumentin e Prokurorimit Publik thuhet në mënyrë specifike se për këtë festë, ku do të marrin pjesë 1200 persona studentë, pedagogë dhe staf administrativ, duhet të serviret shampanjë ekskluzivisht për stafin akademik ndërsa pije energjike dhe kokteile për studentët.
Ky tender i hapur në kohën kur studentët po protestonin rezulton se është anuluar nga ky fakultet.
Prokurime të tilla nuk janë risi për zyrtarët e administratës dhe universiteteve pasi çdo vit, në muajin dhjetor është e njëjta situatë ku me paratë publike blihen kartolina apo shtrohen dreka e darka nga titullarët të cilët sëpaku duhet t’i paguajnë vetë.
Ndërkohë në epokën e teknologjisë, kartolina, një element i cili shoqëron festat sa vjen dhe zëvendësohet me urimet që kanë zero kosto e aq më tepër nuk kanë nevojë për një tender.
f.g./r.k.