Banorët brenda dhe jashtë fshatit denonocojnë grabitjen e 4 shtëpive në fshat. “Janë fenomene të pështira e të neveritshme që të kujtojnë bandat e Haxhi Qamilit. Kërkojmë drejtësi”
Të paktën 4 shtëpi kanë rënë pré e grabitjeve gjatë javës së fundit në Qeparo. Ky është ndër shqetësimet kryesore të banorëve të fshatit buzë Jonit, të cilët pa ditur se ku të tregojnë gishtin për emrat e kusarëve, (siç i quajnë ata), kërkojnë nga organet e rendit të vihet drejtësi. Këtë kërkesë e bazojnë te provat që kanë lënë autorët, gjurmët e gishtave në dyert e banesave.
Një prej banorëve në fshat na tregon me zemërim se jo më larg se dje ishte në vendin e krimit, në njërën prej shtëpive të vjedhura. Ai flet disi i shkujdesur dhe me ndjesinë e frikës se nesër pré e sulmit do të jetë streha e tij. “Janë bërë vjedhje këtu lart në fshat, në 4 banesa dhe hajdutët kanë hyrë në shtëpitë ku nuk ka banorë, por nesër mund të jemi ne dhe ka mundësi të na lidhin, a të na vrasin“.
Janë shtëpi, të pabanuara, por jo të braktisura. Pronarët e tyre janë në emigrim dhe me shumë gjasë një pjesë e tyre do të ishin aty këto ditë, por bllokimi i lëvizjes e ka bërë të pamundur ardhjen dhe në rastin konkret mbrojtjen. “Kanë vjedhur shtëpinë e dikujt që jeton në Rodhos në Greqi, dhe të një francezi që ka e blerë. Po, ashtu kanë vjedhur edhe shtëpinë e një kosovari. Ky i fundit e ka denoncuar, madje e ka bërë problem deri në Ministrinë e Brendshme“.
Ndërkohë, një tjetër banor, por jo rezident na tregon nga larg, se azhornohet me gjithçka ndodh brenda në fshat. Nga larg ai na thotë se është në dijeni që ditët e fundit janë grabitur 3-4 shtëpi, por jo banesa e tij fatmirësisht. “Në Qeparo ka kohë që vidhen masivisht shtëpi të banorëve emigrantë. Ja akte që shfrytëzohen nga hajdutët në periudha qetësie. Janë fenomene të pështira e të neveritshme që të kujtojnë bandat e Haxhi Qamilit“.
Profili i hajdutit
Banorët e Qeparoit janë njerëz paqësorë. Karakteri i tyre nuk e lejon konfliktualitin. Mjafton të dëgjosh dëshmitë e tyre sapo i pyet se ku dyshojnë. “Nuk e dimë. ‘Ujku’ mund të jetë nga fshatrat përtej. Këto ditë kanë shfrytëzuar errësirën dhe mbylljen e njerëzve. Ku ta dimë! Ne nuk i kapim dot dhe e keqja është se ata e dinë se ç’duan të marrin dhe i kryejnë këto veprime pa zhurmë. Janë ordinerë, pijanecë“, na thotë banori brenda fshatit.
Ndërkohë, tjetri, ai që e përcjell shqetësimin nga larg dyshon për një mbrojtje të mundshme të autorëve nga ana e Policisë. “Nuk janë banorë të fshatit, por mund të kenë bashkëpunëtore brenda. Jo brenda në fshat, por brenda në Polici dhe kjo e bën më të vështirë hetimin, i cili nis dhe përfundon me një proces-verbal. Deri tani janë rreth 12 shtëpi të vjedhura dhe asnjë emër pas hekurave“.
Apeli, Në fshat janë rreth 30-35 familje, por pas çdo diskutimi që bëjnë, shpresën se kjo marrëzi do të marrë fund e kanë te Policia. “Nuk dimë çfarë të bëjmë! Ne nuk kemi një emër. Në flagrancë nuk kanë kapur askënd, megjithësë kanë dyshime për disa emra që i kanë çuar në Policinë e Himarës. Ata kanë mundësi të hetojnë, përmes gjurmëve të gishtave, flokëve apo gjurmëve të tjera që lënë“.Shekulli