Kukësi ka vijuar serinë e fitoreve duke mundur këtë javë edhe Skënderbeun në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin e Kamzës. Ka mjaftuar një gol i Willian Cordeiro me penallti në pjesën e dytë për të siguruar tre pikët për verilindorët.
Një ndeshje që nisi me ritëm të ulët, me të dy skuadrat që më shumë menduan për prapavijën se sa për të shënuar. Në përgjithësi skuadra e drejtuar nga Armando Cungu ishte më kërkuese për fitore dhe ia dolën të fitojnë një penallti të shkaktuar nga portieri Teqja ndaj Ethemit, që u kthye në gol nga braziliani.
Pas këtij momenti Kukësi u tërhoq në mbrojtje të rezultatit dhe korçarët hidhen në sulm për të gjetur golin e barazimit por pa ia dalë me sukses deri në përfundim të ndeshjes.
Kjo është fitorja e tretë radhazi për Kukësin që shkon në kuotën e 30 pikëve, po aq sa Skënderbeu i vendit të dytë, ndërsa Partizani kryeson me 4 pikë më shumë dhe ka ndeshjen për të zhvilluan me Teutën në Durrës.