Ish-kryeministri Fatos Nano tha sot se nuk jam penduar që e futa Edi Ramën në politikë sepse në tërësinë e vet ka dhënë një produkt shumë të vlefshëm.
Në një intervistë televizive, ish-kryeministri Nano thekoi se “ nuk mund ta gjykojmë vetëm për periudhën e Ministrit të Kulturës, nuk mund ta gjykojmë vetëm për periudhën si kryetar bashkie, do ta gjykojmë edhe si kryetar opozite gjithashtu dhe si Kryeministër në dy mandate”.
I pyetur si e gjykon si kryeministër, Nano u shpreh se “Edi Rama është maturuar dukshëm në zyrën e Kryeministrit dhe në detyrën e Kryeministrit, sepse detyra e Kryeministrit është e tillë, që kur e bën me seriozitet të maturon. Të bën të ndjesh deri në pore përgjegjësinë e vendimmarrjes në dobi të shumicës së njerëzve”.
Duke treguar arsyet e ftesës për Ramën në atë kohë Nano tha se “kisha nevojë për një rebel në rrethin e socialistëve. Një njeri me ide novatore që të provokonte mendimin e ndenjur që trashëgova. Dhe isha i sinqertë në këtë ftesë”.
Pyetjes nëse e përsëriti ftesën për Ramën, Nano iu përgjigj se “jo, erdhi direkt në zyrën time, pasi ishte varrosur Kristaqi. Për koincidencë, kur unë po mbyllja qeverinë e prillit të ‘98. Për koincidencë sapo nxora nga zyra Luan Ramën duke e emëruar si ministër të kulturës. Rama që doli dhe unë që isha brenda nuk e dinim ça interesi kishte Rama që hyri dhe tha: Jam gati të hyj Ministër Kulture. Lajmërova sekretaren dhe i thashë: Kape Luanin, mos e lër të iki. E takova në paradhomë Luanin dhe i thashë: Do e lëmë për një herë tjetër. U ktheva brenda dhe i thashë:dakord je ministër Kulture.Dhe këtu filloi rrugëtimi i gjatë dhe i pandërprerë i Ramës në politikë”.
Duke iu përgjigjur deklaratës së Edi Ramës se “ Me Nanon kam një raport të mirë sepse ai është i vetmi që e di se sa vetmi ka në zyrën e kryeministrit”, ish-kryeministri Nano tha se “në thelb është e vërtetë sepse Kryeministri apo drejtuesi i një mazhorance ka barrën dhe peshën për të vendosur në fund. Sado të konsultohesh, goditjen e fundit do ta japë vetë. Ndërkohë askush nga të tjerët nuk e ka përgjegjësinë për të qenë këmbëngulës për zgjidhjen. Pra nuk e ndjen përgjegjësinë e liderit. Në momentin e fundit duhet ta ndash i vetëm përgjegjësinë e vendimit”.
-Nano: Berisha mbikëqyri, drejtoi dhe u përpoq të mbulonte vrasjen e 4 njerëzve të pafajshëm në 21 janar-
Ndërsa duke folur për ish-kryeministrin Sali Berisha, Nano tha se në 21 janar Sali Berisha mbikëqyri, drejtoi dhe u përpoq të mbulonte vrasjen e 4 njerëzve të pafajshëm përballë një proteste masive, popullore.
“Janë të njohura nga shumë njerëz faktet për këtë gjë dhe veçanërisht sjellja e Berishës përballë fakteve. Dhe unë jam i detyruar të them që në 21 janar 2011, Sali Berisha pushoi së qeni politikan dhe mbeti pjesa tjetër, që po e dëshmon tani me qytetarin dixhital”, – tha Nano.
