Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj shprehet se numri i viktimave nga aksidentet rrugore ka zbritur, por vijojnë që të vrasin më tepër sesa kriminelët. Ai thotë se ndërgjegjësimi i përdoruesve të rrugës dhe i opinionit publik në përgjithësi mbetet rruga kryesore për të shpëtuar jetët.
“Megjithëse numri i viktimave nga aksidentet rrugore vijon të ulet (nga 353 në vitin 2010 ka zbritur në 213 në vitin 2018), aksidentet në rrugë vrasin shumë herë më tepër sesa kriminelët. Ndërgjegjësimi i përdoruesve të rrugës dhe i opinionit publik në përgjithësi mbetet rruga kryesore për të shpëtuar jetët njerëzore nga rreziqet e sjelljes së papërgjegjshme në rrugë. Për këtë qëllim, prita me kënaqësi sot ekipin fitues të biçiklistëve të vegjël nga shkolla 9-vjeçare “Pjetër Budi” në Tiranë, të cilët do të përfaqësojnë Shqipërinë në konkursin ndërkombëtar që zhvillohet në Gjenevë javën e ardhshme.
Këta fëmijë janë një model i bukur angazhimi në shërbim të sigurisë në rrugë dhe e ardhmja e tyre është një thirrje e fortë për të gjithë qytetarët dhe shoqërinë për më shumë kujdes dhe përgjegjësi në qarkullimin rrugor. Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit janë të angazhuara për të shtuar përpjekjet në funksion të rritjes së parametrave të sigurisë rrugore, ndërkohë që bashkëpunimi i qytetarëve mbetet i pazëvendësueshëm” shkruan Lleshaj.