Deputetja e Partisë Socialiste, Ermonela Felaj, njëkohësisht kryetare e Komisionit të Sigurisë nënvizoi sot rëndësinë e rritjes së numrit të forcave të Policisë së Shtetit, pasi sipas saj, “si vend kemi policimin më të ulët në komunitet”.
“Vizitat informuese në disa prej Drejtorive të Policisë së Shtetit, na kanë bindur se është domosdoshmëri rritja e numrit të kësaj force, pasi si vend, kemi policimin më të ulët në komunitet. Po aq e nevojshme është dhe përfshirja e kapaciteteve më të mira intelektuale”, tha ajo.
Si kryetare e Komisionit të Sigurisë Kombëtare, Felaj vlerësoi faktin që “nga sot, Policisë së Shtetit iu shtuan 402 punonjës të rinj, djem dhe vajza, 158 nga të cilët për shkak të një arsimi të lartë të mëparshëm, u graduan si nënkomisarë dhe 244 të tjerët fillojnë si inspektorë bazë”.
“Me tej akoma, çelen edhe 600 vende të tjera në Akademinë e Sigurisë. Është një punë të jesh pjesë e kësaj force padyshim, por është dhe nder përkundrejt shoqërisë të shërbesh drejtpërdrejt për sigurinë publike, për rendin publik, aq të nevojshëm në shoqërinë ku jetojmë”, tha ajo.