Javën e ardhshme shqiptarët mund të dalin për 2 orë e 30 min, Manastiliu jep detajet Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manstirliu ka bërë me dije planin e qeverisë për hapjen graduale të vendit, plan i cili do të konsistojë në 4 faza, ku secila prej tyre do të ‘kushtojë’ dy javë kohë. Përmes një komunikimi për shtyp, Manastirliu është shprehur se hapja do të jetë graduale dhe do të pasohet me faza dy javore. Me krijimin e një lehtësie të re (psh hapja e një kategorie biznesesh) do të lejohet një hark kohor prej dy javësh, në mënyrë që të shihet nëse hapja do të shkaktojë më shumë të prekur me koronavirus.
Pas dy javëve, qeveria do të vijojë të krijojë më shumë lehtësira, duke hequr barriera e masa shtrënguese të tjera. I njëjti proces do të ndodhë sa herë do të krijohen lehtësira. Ministrja Manastirliu theksoi gjithashtu se me krijimin e lehtësirave e veçanërisht hapjen e një sërë kategorish të bizneseve, do të ngrihet një task forcë ndërinstitucionale, që do të ketë për qëllim kontrollimin e biznesve dhe nëse sipërmarrjet i qëndrojnë strikt protokollit të sigurisë.
Mbi protokollin e sigurisë dhe lejën që duhet të kenë bizneset e hapura dhe ato që parashikohen të hapen, qytetarët duhet të aksesojnë portalin e-Albania për të mësuar mbi rregullat që duhet të ndjekin në bizneset e tyre. Manastirliu: Hapja e kujdesshme do të jetë graduale duke marrë kohë të paktën dy javë nga njëra fazë tek tjera për vlerësimin e situatës. Do të vlerësohet nëse do të ketë rënie apo shtim të rasteve të tjera me Covid, numrin e qytetarëve të hospitalizuar dhe gjithashtu ata të shtruar në terapi intensive.
Fillimisht plani parashikon të hapen bizneset që kanë më pak risk. Aktivitetet që do të hapen do të funksionojnë me protokoll, sipas nivelit të riskut. Me lehtësimin e kujdeshëm të masave, po shtojmë kapacitetin spitalor, në rast se do të përballemi me rritjen e numrave Për monitorimin e masave dhe zbatimit të protokolleve po ngrihet task forca ndërinstitucionale anti-Covid. Çdo biznes i hapur apo që do të hapet duhet të respektojë me përpikmëri masat dhe protokollet e miratuara, bazuar në nivelet e riskut. Çdo biznes duhet të marrë vërtetimin dhe protokollin përkatës në e-Albania. Bizneset që nuk do t’i plotësojmë protokollet do të penalizohen.
Për bizneset ku rreziku i përhapjes së infeksionit është më i lartë, do të vendosen punonjës që do të monitorojnë situatën. Manastirliu është shprehur gjithashtu se nëse situata vijon të jetë pozitive, atëherë qeveria po planifikon për shtimin e kohës së daljes për qytetarët nga 1 orë e 30 minuta, në 2 orë e 30 minuta. Gjithashtu Ministrja lajmëroi për të tjera masa lehtësuese në fillim të muajit maj. Manastirliu: Nga java e ardhshme ne do të mund të rrisim në 2 orë e 30 minuta fashën e lëvizjes së individëve. Transporti taksi nga një qytet në tjetrin, do të jetë një shërbim tjetër i cili po planifikohet të kryehet. Në rast se nuk do të kemi tregues të qëndrueshëm, plani parashikon gjithashtu edhe rikthimin e masave shtrënguese. Nëse ne nuk do të kemi nevojë të ngrejmë frenat e emergjencës, atëherë në fillim të muajit maj mund të zgjerojmë fashën e lëvizjes së makinave brenda një bashkie, si dhe lehtësimin e këmbësorëve.